ZVKM i parë Grubi takoi ambasadoren Gjermane Holstein: Jemi gati për fillim të negociatave me BE

Advertisment

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi e realizoi sot takimin e parë me Ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë znj. Anke Holstein.

Ambasadorja Holstein, e uroi z.Grubi për formimin e qeverisë dhe për postin të cilin ai do ta ushtrojë duke i dëshiruar sukses në realizimin e synimeve.
Znj.Holstein gjatë takimit me zëvendëskryeministrin e parë z.Artan Grubi nuk mbeti pa përmendur edhe rëndësinë e qeverisë për të menaxhuar situata të krizave siç është kjo tani me COVID-19.

Reklame

Znj. Holstein gjithashtu potencoi se Berlini zyrtar do të përkrahë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj evropiane dhe në zbatimin e reformave që nevojiten në realizimin e këtij qëllimi, përfshirë edhe çeljen e negociatave për anëtarësim.

Nga ana e tij zëvendëskryeministri i parë z.Artan Grubi falënderoi ambasadoren gjermane për urimet e sinqerta dhe përkrahjen e vazhdueshme të shtetit gjerman, duke nënvizuar këtu se Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe zbatimin e reformave, në veçanti në sferën e drejtësisë.

Grubi para ambasadores gjermane gjithashtu përsëriti qëndrimin se në vend duhet të mbizotërojë harmoni politike funksionale me qëllim që të merren vendime të drejta dhe të mira të cilat do të shfaqin një fytyrë të re të qeverisjes. Ai gjithashtu tha se kjo garniturë e re qeveritare do të bëj të pamundurën që njëherë e mirë të çrrënjos korrupsionin.

Z.Grubi gjatë takimit me ambasadoren gjermane premtoi se si zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive do të punojë për raporte të mira ndëretnike dhe kohezion shoqëror për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Bashkëbiseduesit, znj.Holstein dhe z.Grubi shkëmbyen mendime edhe për tema tjera politike në vend dhe rajon.