Në oborr të shkollës i pritën si në odë burrash. Rresht njëri pas tjetrit, për t’u uruar mirëseardhje zyrtarët e qeverisë nga rradhët e BDI-së.
Në Gllumovë të Sarajit ata erdhën për të parë sallën e re të sportit.
Zëvednëskryeministrit Sadulla Duraku gjendja aty iu duk e mirë.
“Shumë mirë. E sheh çka do të thonë kushtet”, theksoi Sadulla Duraku.
Tek drejtori i shkollës u interesua nëse ka mjaftushëm nxënës.
“Duraku: Fëmijë a keni?
Drejtori: Kemi! Dhe fatmirësisht numri nuk zvogëlohet por rritet.
Duraku: Bravo!
Kryetari i Sarajit Blerim Bexheti i tregoi se sa është rritja e numrit të nxënësve në vit.
“10 deri në 20 në nivel komunal”, tha Blerim Bexheti.
E krahas shtimit të nxënësve, në 23 fshatrat e Sarajit me mbi 35 mijë banorë ka vetëm 4 salla sportive. Bexheti thotë se kanë ambicie për të bërë salla të reja por duhet kohë.
“Kuptohet do një kohë realizimi i projekteve, për momentin janë katër salla që funksionojnë në mënyrë të plotë”, tha Blerim Bexheti, kryetari i Komunës së Sarajit.
Kjo vizitë e zëvednëskryeministrave dhe ministrave të BDI-së u bë si forma kërkimi i llogarisë nga kreu i komunës që po ashtu i takon BDI-së.
Pasi vizituan shkollën “Sami Frashëri” kërkimin e llogarisë e vazhduan në vendbanime të tjera, por duke qenë se secili zyrtar ishte me makinën e vet zyrtare, kjo shkaktoi kolona nëpër rrugët e ngushta të Gllumovës.