Shkëndija ‘pesëshe’ Zajazit - tetova1.com - Portal Informativ për qytetarët shqiptarë të Maqedonisë

Shkëndija ‘pesëshe’ Zajazit


Kategoria: Sport

Postuar më: Enj, Jan 30, 2014

Lexuar: 135 herë



Të përzgjedhurit e trajnerit Shpëtim Duro sot në Ohër me rezultatin e thellë 5:0 mundën skuadrën e Zajazit që garon në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë…………..
Shkëndija ka shënuar edhe fitoren e dytë në kuadër të ndeshjeve kontrolluese. Të përzgjedhurit e trajnerit Shpëtim Duro sot në Ohër me rezultatin e thellë 5:0 mundën skuadrën e Zajazit që garon në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë.
Fitoren e “kuqezinjëve” e paralajmëroi strugani Egzon Belica që në minutën e 3-të, ndërkohë 15 minuta më vonë përforcimi më i bujshëm i Shkëndijës, Stenio Zhunior shënoi golin e dytë në rrjetën e Zajazit.
Megjithatë këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar nga ana e futbollistëve të Shkëndijës, pasi deri në mbyllje të pjesës së parë, ata shënuan edhe një gol tjetër, kësaj rradhe me anë të përforcimit tjetër, kroatit Bojan Vruçina.
Që të dy së bashku me Astrit Fazliun udhëhoqën sulmin e Shkëndijës, që si duket tashmë ka gjetur futbollistët e duhur në këtë repart, që gjatë gjysmësezonit të parë ishte një ndër pikat më të dobëta të skuadrës tetovare.
Në pjesën e dytë Shpëtim Duro ju dha mundësinë edhe futbollistëve tjerë për të dëshmuar kualitetet e tyre, ndërsa një gjë të tillë dëshmuan edhe ata duke vazhduar serinë e golave në rrjetën e Zajazit.
Futbollisti kumanovar Bujamin Shabani në minutën e 57-të ngriti epërsinë e Shkëndijës në 4:0, ndërkohë rezultatin përfundimtarë të këtij takimi miqësor Shkëndija 5, Zajazi 0, e vendosi strugani tjetër në rradhët e “kuqezinjëve”, Artim Pollozhani, kur në minutën e 65-të në mënyrë precize ekzekutoi penaltinë e akorduar nga ana e arbitrit kryesor, Marjan Eckoski.
Është kjo fitorja e dytë e Shkëndijës në kuadër të përgatitjeve që kjo skuadër po i zhvillon në Ohër, pas asaj ndaj Varpçishtit 3:0, me ç’rast ekspedita e skuadrës tetovare kthehet në Tetovë, ku do të qëndrojë për disa ditë, para se të transferohet në përgatitje tre javore në Antali të Turqisë.
/tetova1-infoSport/