A ka nevojë për parti të reja?
|
Robert NESIMI
1. Sa herë që tek ne paralajmërohen ose shfaqen iniciativa të reja politike, në opinion rihapet dilema e vjetër: kemi apo s’kemi nevojë për parti të tjera? A servohen më mirë interesat e shqiptarëve në Maqedoni me më tepër ose me dy parti politike? A janë partitë e treta të dobishme pasi pasurojnë ofertën politike, apo të dëmshme sepse “përçajnë” votën shqiptare, siç akuzohen shpesh? Në një demokraci normale çështja as që vihet në diskutim, sepse është e qartë që fjalën e fundit përherë e kanë votuesit. Me votën e tyre ata dënojnë ose shpërblejnë partitë ekzistuese, duke dhënë sinjal nëse duan apo nuk duan më tepër parti politike. Në demokraci të tilla vetë thirrja kundër themelimit të alternativave të treta është në vetvete akt jodemokratik, sepse largon vendimin nga aktori kryesor, votuesi.
Ne megjithatë nuk jemi demokraci normale. Këtu iniciativat e reja menjëherë duhet të përballen me akuza nga dy partitë e mëdha, konkretisht se vetëm përçajnë votën shqiptare dhe kështu dëmtojnë “kauzën shqiptare”. Ato me qëllim harrojnë se partitë e treta si fenomen përherë shfaqen nga pakënaqësia me partitë e mëdha, do me thënë ngase ato nuk bëjnë punën si duhet. Më tej ato me të gjitha forcat dhe mjetet tentojnë të shuajnë alternativat politike, kinse për interesa kombëtare, por faktikisht për të mbrojtur pozitat e veta. Pikërisht mënyra e këtillë e të menduarit dhe vepruarit nxjerr në shesh mentalitetin e tyre në thelb komunist, të formuluar si ideal i bashkimit pa kushte rreth një partie të vetme (të tyren), pa marrë parasysh se sa e paaftë, e korruptuar dhe kriminele është ajo.
2. Argumenti i vetëm kundër ekzistencës së opsioneve të treta politike është se ato përçajnë votën shqiptare dhe zvogëlojnë numrin e deputetëve shqiptarë në parlament. Sipas kësaj logjike fajtor ekskluziv për gjendjen e sotme të shqiptarëve qenka numri i vogël i deputetëve shqiptarë, pra partitë e vogla që përçajnë votën. Ky konstatim qesharak bie ndesh jo vetëm me logjikën e shëndoshë, por edhe me faktet historike. Kështu për shembull arritjet më të mëdha politike shqiptarët i kanë shënuar në periudhën 2002-2006 kur në parlament ka patur 27 deputetë shqiptarë. Përkundër kësaj në periudhën 2008-2011 kemi patur 29 deputetë, por lehtë mund të thuhet se ata praktikisht nuk kanë arritur asgjë. Sot në parlament janë 25 shqiptarë, por me këtë përbërje tejet të dobët nga kualiteti nuk do të kishte ndonjë diferencë edhe sikur ata të ishin 40.
Përveç kësaj harrohet edhe fakti se numri i deputetëve shqiptarë nuk do të ishte shumë më i madh edhe po të mos kishin ekzistuar parti të treta. Historikisht në zgjedhje shqiptarët kanë marrë maksimalisht 23% të votave dhe realisht numri maksimal i deputetëve që mund të fitohej edhe me pjesëmarrje më të madhe është rreth 30. Mirëpo as kjo nuk do të ishte ndonjë përparim, pasi problemi nuk qëndron te numri i deputetëve, por te kualiteti i tyre. Nëse ata nuk dinë të kryejnë detyrën e tyre, sa rëndësi ka nëse në parlament janë 25 apo 30 dërrasa?
3. Nga ana tjetër, elektorati shqiptar në mënyrë konstante ka dëshmuar se do opsione të treta. Kështu në zgjedhjet e viteve 2006 dhe 2008 për parti të treta kanë votuar nga 15.000 votues shqiptarë. Në zgjedhjet e viteve 2009 dhe 2011 kjo shifër ka arritur rreth 55.000 vota, ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale për opsione të treta kanë votuar 37.000 persona. Këto nuk janë shifra të vogla. Qartazi një përqindje e majme e shqiptarëve në çdo periudhë ka qenë e pakënaqur nga partitë e mëdha dhe ka votuar opsione tjera, ndërsa një përqindje tjetër e madhe nuk ka dalë fare në zgjedhje.
Tani, nëse ndjekim logjikën e partive të mëdha, këta votues paskan bërë gabim sepse kanë përçarë votën shqiptare dhe kanë ndikuar që numri i deputetëve të jetë më i vogël. Sipas tyre, këta votues për hir të “unitetit” duhej të votonin BDI-në ose PDSH-në, edhe pse nuk janë të kënaqur prej tyre. Me këtë logjikë BDI e PDSH sillen sikur votuesit ju kanë borxh votën dhe se bëjnë më mirë të rrinë në shtëpi se të votojnë parti të treta. Për fat të mirë vetë votuesit nuk kanë menduar kështu.
4. Javën e kaluar dy grupe të ndryshme ish-veprimtarësh të PPD-së morën iniciativë për ringjalljen e kësaj partie. Më herët në skenën politike shqiptare një lojtar serioz ishte DR-ja, ndërsa edhe sot një rol të tillë e ka partia RDK. Në ndërkohë politika shqiptare ka qenë e begatë edhe me parti tjera më të vogla, si BDSH, BDK, FRD e të tjera. Disa prej tyre janë shuar, ndërsa disa vazhdojnë të ekzistojnë edhe më tej. Sido që të jetë, për shuarjen apo veprimin e tyre të mëtutjeshëm fjalën e kanë patur votuesit. Dhe kjo është përgjigja më e mirë e titullit të kësaj kolumne. Për nevojën e partive të reja le të vendosin vetë votuesit.
Siç pamë, argumenti kryesor kundër paraqitjes së alternativave të treta është se ata përçajnë votën shqiptare dhe minimizojnë efektin e partive ekzistuese. Por shqiptarët nuk kanë parë ndonjë gjë të mirë nga këto parti ekzistuese dhe nuk ka asnjë arsye të mendohet se ata do të ishin më të afta po të kishin më tepër deputetë. Thjeshtë argumenti “përçarje e votës” është krejtësisht i pabazë dhe më tepër shërben për ruajtur partitë e mëdha nga konkurrenca e mundshme në të ardhmen.
Në mungesë të argumenteve kundër, ngelet të thuhet se partitë dhe idetë e reja politike janë përherë të mirëseardhura, mendim që e kanë ndarë edhe votuesit nëpër vite. Sa më e begatë të jetë oferta politike, aq më demokratike do të jetë edhe shoqëria jonë. Sa më e denjë konkurrenca politike, aq më kualitativ do të jenë edhe përfaqësuesit e popullit në parlament. Mendimin e njëjtë zatën e ndajnë edhe votuesit. Në të ardhmen, ashtu si në të kaluarën, ata vetë do të vendosin nëse duan të kenë një, dy, pesë apo dhjetë parti. Prandaj askush tjetër nuk ka të drejtë që a priori të akuzojë dhe diskreditojë dikë si “përçarës vote”, vetëm e vetëm pse ia prish rehatinë dhe ia trazon dikujt ujin.
/Koha/





