Drejtoresha Ognjanoska: Në shkollë nuk hyri askush nga jashtë - tetova1.com

Drejtoresha Ognjanoska: Në shkollë nuk hyri askush nga jashtë


Kategoria: Kronikë / Lajme

Postuar më: Mar, Shk 18, 2014

Lexuar: 531 herë



Gjatë gjithë ditës së premte, në ambientet e brendshme të shkollës së mesme ekonomike në Gostivar, nuk ka hyrë asnjë person nga jashtë. Ky verifikim është bërë nga xhirimet e kamerave të sigurisë të vendosura në hapësirat e brendshme të objektit, ndërsa informata konfirmohet për gazetën “Koha” nga drejtoresha e shkollës, Jovanka Ognjanoska. “Në dyert hyrëse të shkollës, të cilat janë nën vëzhgim 24 orësh të kamerave, nuk është vërejtur duke hyrë asnjë person i dyshimtë nga jashtë”, tha Ognjanoska, e cila bëri me dije se xhirimet tashmë janë në duart e prokurorisë publike. Ajo tha se janë në pritje të konkluzioneve rreth rastit që do të dalin nga hetimet e bëra nga organet mbikëqyrëse. Ognjanoska njoftoi se procesi mësimor gjatë ditës së hënë ka vijuar pa asnjë ngecje. “Të hënën, ndërrimi i parë ndiqet nga nxënësit me mësim në gjuhën shqipe. Mësimi zhvillohet normalisht, gjithçka është në rregull. Nxënësit ndodhen në orët e mësimit. Rasti është në duart e prokurorisë, dhe shpresojmë se shumë shpejt ky rast jo i këndshëm do të ketë një epilog pozitiv”, tha Ognjanoska, e cila po ashtu njoftoi se në ditën e parë të mësimeve, pas ngjarjes së ndodhur, të gjithë nxënësit u janë kthyer bankave shkollore. “Po, të gjithë nxënësit ndjehen mirë, dhe janë duke ndjekur procesin mësimor pa përjashtime”, tha ajo. Brenda kohës, është bërë edhe pastrimi i ambienteve të brendshme të shkollës. “Dezinfektimi është bërë nga shërbimet teknike të shkollës. Është dezinfektuar e gjithë hapësira e brendshme”, shtoi Ognjanoska. Një detal tjetër shumë i rëndësishë gjatë hetimeve, që e pohoi edhe drejtoresha e shkollës, është fakti se hapësira ku mendohet se është aktivizuar lënda që shkaktoi helmimin e nxënësve, nuk është e mbuluar me kamerat e sigurisë. Ky fakt, duket se do të vështirëson punën e prokurorisë në identifikimin më të lehtë të autorit, apo autorëve që shkaktuan rastin. Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë edhe të hënën nuk janë prononcuar rreth ngjarjes. Zëdhënës Marjan Josifoski, deklaroi se të gjitha provat materiale janë bartur në Prokurori, dhe se përgjegjësia e organeve të rendit ka mbaruar me dorëzimin e lëndës atje. Ndërkohë, nga Prokuroria Publike në Gostivar edhe pas 3 ditëve nuk dhanë informata të reja rreth rastit, duke deklaruar se hetimet janë në vijim e sipër dhe se ende nuk ka ndonjë konkluzion apo epilog rreth rastit. Drejtori i Spitalit të Gostivarit, Ferit Muça, deklaroi se brenda ditës së diel dhe ditës së hënë, nuk është pranuar asnjë pacient me simptoma helmimi. Ai deklaroi se janë në pritje të analizave mbi përbërjen e lëndës që shkaktoi helmimin.

/Driton Zenku-Koha/