Kallëzime penale për 2 bombashët e Tetovës
Policia e Tetovës ka ngritë kallëzime penale kundër N.K. (46) dhe djalit tij N.K. (28) si të dyshuar për shpërthimin në lagjen rome tek lumi Shkumbin në Tetovë.
Në këtë shpërthim u lënduan pesë fëmijë prej të cilëve dy më rëndë. Kundër babait të familjes Krasniqi policia ka dorëzuar kallëzim penal për përpunim, mbajtje dhe tregti me armë dhe materiale eksplozive, ndërsa për djalin përskaj kësaj vepre, është dorëzuar edhe kallëzim për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Nga ana e gjykatësit në procedurën hetimore dy të dyshuarve u është caktuar paraburgim në afat prej 30 ditëve. Gjatë kontrollimit të djeshëm në shtëpinë e tyre, menjëherë pas shpërthimit, është gjetur një predhë për hedhës raketorë. Babai dhe i biri menjëherë janë arrestuar dhe mbajtur në stacion policor.
Mëngjesin e djeshëm atje është thirrur edhe djaloshi 15 vjeçarë në lidhje me këtë rast, por nga Prokuroria lajmëruan se nesër do të bisedojnë me të në prani të nënës dhe përfaqësuesve të Qendrës për kujdes social, prej ku do të mësohet çfarë dhe si do të jetë procedura për të. Në eksplozionin e atjeshëm u lënduan pesë fëmijë të moshës 10 deri 14 vjeçare.
Dy vajzat e lënduara të moshës 11 dhe 14 vjeçare pas ndihmës së dhënë në spitalin e Tetovës me lëndime të rënda në trup dhe këmbë tanimë në gjendje stabile urgjentisht ishin dërguar në klinikën në Shkup. Prej tre fëmijëve tjerë të lënduar, dy janë lëshuar në mjekim shtëpiak, ndërsa një është ndalur në spitalin e Tetovës.




