Shtatë denar në xhep…
|
nga ditari i një nëne….
Unë dola nga puna dhe shkova të marr vajzën time nga çerdhja. E prita para derës kryesore dhe e dija se do të ndodhë diçka që nuk do të doja.
Doli, e morra për dore dhe bisedonim për ditën që e lëmë pas. Hop, në anën e djathtë kishte një shitore!
“Mami, dua një lëng!” dolën fjalët nga goja e bukur e vajzës sime.
“Duro edhe pak shpirti i mamit, do të arrijmë në shtëpi dhe do të pijmë lëng së bashku’’. E dija se shtëpia nuk ishte afër, 30 minuta ecje!
“Mami, shumë më pihet lëng. Të lutem më blej një”
“Aman me mamin a nuk e sheh se shitorja është e mbyllur, a e sheh se nuk punon?”
“Mami unë shoh njerëz brenda në shitore, hapur është”
Nuk kisha çka të bëja, ndërrova teme por e dija se ajo është e etur për lëng pjeshke! U larguam nga ai vend por ajo filloi të qajë…
Mbërritëm në shtëpi! E hap frigoriferin, brenda në të kishim vetëm margarinë, djath dhe gjysëm litër qumsht! Nuk kishim lëng pjeshke!!!
“Ja mami do të përgadis një çaj, e ti shko ndërro teshat dhe luaj pak deri sat të jetë gati” e unw vëndova ujë mbi shporet.
“Mami dua lëng! Nuk dua të pi çaj”. Ia ktheva “Edhe mami do të pijë çaj. Renditi kukullat në krevat, edhe ato do të pijnë çaj me ne” U bind, shkoi në salon dhe filloi ti vëndojë kukullat në krevat.
E dija se nuk ka lëng pemësh në frigorifer. Do të kalojmë me çaj. Është më i shëndetshëm, fillova të qetësoj veten. U bë gati çaji, filluam të pijmë së bashku! Ishte çaji më i shijshëm në jetën time!
“Veshu e dashur se do të shkojmë të blejmë bukë” veshëm pallton dhe dolëm deri te shitorja më e afërt. Para nesh kaloi një fëmijë që mbante në gojë një lëpirëse, ndërsa ne hapëm derën e shitores.
“Mami edhe unë dua lëpirëse”!
Futa dorën në xhep dhe nxorra 30 denar nga xhepi. Nuk e ndjeva se si më dolën lotët, por ato më lagën dorën që e nxirrja nga xhepi!
Shitësja më ofroi një palomë. “Më hyri diçka në sy, më falni” i thash shitëses
“Më jepni një gjysë buke dhe një lëpirëse” Paguajta 23 denar!
Shtatë denarët që mbetën i futa në xhep. “Të shkojmë në shtëpi shpirt, tani do të kthehet edhe babi në shtëpi”
Duke vrapuar u përqafuan me babain.
“Mami a do ta hamë bukën që sapo e morrëm? Ajde tlutem ma bënë një senduiç. A ka djath?” Sytë më shkëlqyen nga gëzimi.
“Po! kemi shpirti i mamit. Tani mami do të bëjë senduiç” Më në fund, kemi diçka që do të dëshironte fëmija im.
“Senduiçi është shumë i mirë, mami. Eja dhe ti ha me ne”. Shikova në sirtar, kishte mbetur vetëm një çerek bukë nga gjysa që blemë në shitore.
“Hani ju, mami ka ngrënë në punë, e tani do të shkoj të lahem”
U mbylla në banjo dhe u lava për një orë. Nuk e di se sa lot kam derdhur! Zorët më bënin zhurmë kurse më dhimbte edhe barku nga mos ngrënia. Mami do të hajë nesër nëse do të blejmë një bukë të plotë. Nëse shpirti im i vogël nuk kërkon çokolladë. Nuk është me rëndësi, zemra imë përsëri do të jetë e plotë, edhe pse barku është i zbrazur.
“Mbi të gjitha, është mirë për vijat e trupit” e thash me zë dhe buzëqesha! Kryesorja është që jemi të tre në shtëpi, dhe kemi pasuri: dashurinë!
Jemi të pasur pasi kemi fëmijë të drejtë dhe të shëndoshë.
E çka nësë kam shtatë denar në xhep? Zemra ime është e plotë! Unë jam njeriu më i lumtur në botë!
*Për konsideratën, jetën, mendjen dhe shpirtin tuaj! Nuk është me rëndësi sa para ke në xhep por sa lumturi ke në familje! Merrni shembull nga kjo nënë dhe vlerësoni atë çka ju jep Zoti!





