Tetovë: Studenti nga Dibra kërcen nga kati i dytë, pëson lëndime të rënda
Një student nga qyteti i Dibrës është lënduar pasi që ka kërcyer nga ballkoni i një ndërtese në Tetovë. Sipas Policisë së Tetovës, deri tek incidenti ka ardhur pasi që disa student të Universitetit Shtetëror të Tetovës në një banesë private duke festuar ditëlindjen kanë shqetësuar banorët e një kati më sipër, të cilët kanë zbritur dhe i kanë sulmuar fizikisht studentët. Njëri prej studentëve, duke tentuar të ikë ka kërcyer nga ballkoni dhe ka rënë poshtë para ndërtesës. ”22 vjeçari E.K nga qyteti i Dibrës, student në USHT, ka denoncuar në polici se të hënën mbrëma duke festuar ditëlindjen me shokët e tij në një banesë në rrugën e Ilindenit, dy persona që jetojnë një kat më sipër me forcë kanë hyrë në banesën e tyre dhe i kanë sulmuar fizikisht, ngase zhurma i kishte shqetësuar. Sipas 22 vjeçarit, studenti D.L poashtu nga Dibra i frikësuar, duke ikur ka kërcyer nga ballkoni i katit të dytë të banesës dhe ka marrë lëndime të rënda trupore.
I njejti është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës dhe ende mbahet për kurim të mëtejshëm. Sulmuesit, të cilët me forcë kanë hyrë në banesë janë E.SH 49 vjeçar dhe V.SH 25 vjeçar si dhe 21 vjeçari R.T, i cili ka tentuar të ndalojë policët në kryerjen e detyrave të tyre, janë ftuar në bisedë informative në Stacionin Policor në Tetovë”, njoftoi Marjan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Ky rast është zbardhur tërësisht dhe do të ketë padi penale kundër të involvuarve. (U.H)




