Tomahawk: Pse dështoi konsensusi?
Shpeshherë na paraqitet dilema nëse faj më të madh për dështimet e shqiptarëve në Maqedoni kanë partitë, apo votuesit. Kuptohet se partia në pushtet mbanë përgjegjësinë zyrtare për “kapitullimet”, që me gjuhën e tyre quhen “kompromise”. Mirëpo, derisa ne vazhdojmë me shumicë votash t’i përkrahim këto kapitullime, nuk mund ta zhveshim vetveten për dështimet e partisë tonë në pushtet.
Me këtë “Tomahawk”, përmes një dialogu të trilluar mes një lideri maqedonas dhe një lideri shqiptar (partner në koalicionin qeveritar në një katund të vogël), do të përpiqemi që në formë më ilustrative, të sqarojmë se sa të dobëta janë pozitat e partive shqiptare të cilat fitojnë shumicën e votave tona, pa realizuar asnjë premtim dhe projekt, kundrejt partive maqedonase të cilat duhet të punojnë dhe realizojnë projekte qindramilionëshe për të fituar besimin e votuesve maqedonas…
Përmes një shorti të hedhur, kemi vendosur që liderin e paramenduar maqedonas në këtë tekst, ta emërojmë me nofkën “Bokseri”, kurse liderin shqiptar me nofkën “Folkloristi”.
Personazhet dhe ngjarjet në këtë “tomahawk” janë të trilluara. Çdo ngjashmëri me realitetin është i paqëllimshëm!
Hapet dera e kabinetit qeveritar dhe “Folkloristi” futet brenda me buzë në gaz. Kameramanët dhe fotoreporterët fillojnë garën se cili do të bëjë foto dhe inserte më të mira.
Folkloristi: “Bokser”, o vlla, a mi jep dy tenderë hua, ta djegi Menduhin, me partinë që e ka? (bën hyxhym ta përqafojë Bokserin)
Bokseri: Ngadalë Folklorist, ngadalë se mediat ende s’kan dal prej kabineti. Po na fotografojnë dhe na incizojnë duke u përqafu, e pastaj votuesit e marrin vesh se veç dallavera kanë qenë muhabetet se gjoja i kemi ftoh raportet mes veti. Ban gajret edhe pak! Mos fol maqedonisht, se opinioni ende nuk e din se ti flet shkëlqyeshëm!
Folkloristi: Po, po, ashtu asht. Nuk ban me marr vesh opinioni, se sa shumë duhemi ne dy. Po moti kohë nuk jemi pa, e besa malli më paska ra. Ani “Bokser”… Çysh je ti vet, e familjen si i ke….?
Bokseri: Mirë, mirë Folklorist, krejt mirë, po pash gazepin me votust e mi. Paramendo sa miliona euro kam harxhu për projekte monoetnike e monofetare, edhe prapë kërkojnë më tepër. Një dit mos me i harxhu 100 milionë euro, menjëherë shkojnë e votojnë opozitën. Dy milionë euro i kam harxhu veç për asfaltimin e rrugicës deri te një manastir i vogël edhe prapë nuk më thonë faleminderit! Kollaj e ki ti Folklorist, kollaj. Me dy milionë euro, ti i kishe asfaltu krej rrugt e shqiptarëve, e prapë gjysma e pareve t’kishin mbet për në buxhet të partisë. A pe shef se sa shum jam t’u hjek. Pash gazepin!
Folkloristi: Bokser duhet të blejsh dhenë (dele) dhe të studiosh filozofinë e tyre. Unë sa herë kur dal te stanet e studioj filozofinë e dhenëve (deleve). Ata janë si votuesit. Duhet me ditë me çka me i ushqye dimrit e me çka verës, nëse don me fitu më tepër qumsht e lesh. Edhe votuesit janë njësoj. Duhet me ditë çka me ju premtu verës, e çka me ju premtu dimrit, dhe vota fiton sa të duash.
Bokseri: Kot Folklorist, nuk kryn pun. E kam studiu edhe filozofinë e dhenve, edhe të lopëve, edhe të dhive. Këta votuesit e mi kërkojnë vetëm vepra konkrete. Nuk pranojnë premtime të kota, se menjëherë ikin te opozita.
Folkloristi: Kuptoj, kuptoj. Veç s’ban me harru edhe kontributin tem për projektet që i ke realizu për votuesit e tu… Po nejse, kësaj radhe unë kam ardh me punë tjetër..! Bokser, të kam tregu se prej moti kohë e kam një dëshirë, e tash erdhi koha t’a them. Po kam shumë qejf bre Bokser me zgjedh një kmet katundi me konsensus, çka po thu…?
Bokseri: Nuk ban Folklorist, se kta të opozitës menjëher më sulmojnë. Thonë çe ky po ju lëshon pe shqiptarve. Nuk ban se m’bje rejtingu menjëher…
Folkloristi: Kadal be Bokser ta sqaroj punën deri në fund. Ti vetë caktoje kandidatin për kmet katundi, nuk asht problem. Veç po kam qejf ta pagëzojmë me emrin ‘konensual’, çka po thu? Sepse kam frikë se nuk dalin shqiptarët në votime.
Bokseri: Hajt be folklorist se lehtë e ke ti. I këndon dy këngë, i tregon dy-tri përralla gjatë fushatës, dhe votuesit ta japin votën…
Folkloristi: Valla be Bokser nuk e di a mundem me fitu ende vota me këngë e me përralla. Zani ka nis me mu shter edhe durt kan fillu me mu dridh. Nuk po muj me knu si më herët, e as as telat e qiftelisë s’po muj me i çitë më n’dyzen si ktyne here…
Bokseri: Aiii. Po angazhoje pak edhe Musën të ndihmoje me ndonjë këngë. Mos të rrije kot e kot….
Folkloristi: Jooooooo. Veç Musën mos e përmend, se ai është më i shtrenjtë se Aziz Murati. Pa e mbulu me dollar e me franga as gojën nuk e çel, e leje me këndu ndonjë këngë.
Bokseri: Çysh bre ashtu, un kam mendu se edhe Musa ka shpirt muzikal. E kam dëgju shpeshherë tu e këndu këngën “E moj Sasha, gde je sada, ljubav nasha”?
Folkloristi: Jo, jo. Aj sipas vendit e bën kuvendin. Këndon, por vetëm kur është në ndonjë hotel. Po më mirë leje krejt Musën, mos e përzij në këtë punë…
Bokseri: Po Qimja…?
Folklorist: S’ka hajr as prej tina. Veç hatri i Martinit jam tu e mbajt, se moti kohë e kisha çu sekretar në ndonjë kooperativë bujqësore.
Bokseri: Spo di çka me të than Folklorist. Hajt se mas pesë vjetve ja bëjmë dyçysh. Se tash edhe me pranu unë, nuk pranon kushëriri. Me ja përmend bile kmetin konsensual nervozohet, e i arreston krejt kriminelt e narko dilerat…
Folkloristi: Jo, jo, jo. Nuk ban hiç me i arrestu narko dilerat, se rrezikohet stabiliteti i katundit dhe i rajonit. Harroje krejt këtë muhabet. Konsidero se nuk e kemi përmend aspak kmetin konsensual. Hiç bile mos i trego për këtë muhabet kusheriut… Po ma jep izën tash, se ika unë… hajt ejvallah… (Folkloristi del si pa kokë nga kabineti duke e përshëndetur me dorë Boksierin prej distance).
Bokseri E mbyll derën dhe duke qeshur i kënaqur psherëtin ndër vete: Hajt Folklorist, hajt, grahi kulicës. Kur është ulë censusi, me ner me than, është pshurrë edhe konsensusi. Kur të erdhën mendtë, të ikën dhentë. Hajt, hajt, vazhdo grahi kulicës… (Hehehe, vazhdon të qeshet).




