Vjen fitorja e parë e Shkëndijës në Turqi, shënoi Kurtishi nga penalltia (FOTO)
Shkëndija ka mundur KF Atyraun nga Kazakistani me rezultat minimal 1:0 në një takim kontrollues të zhvilluar sot në Belek të Antalisë në Turqi. Një gol i vetëm i Mensur Kurtishit në minutën e 65-të nga pika e bardhë, i ka mjaftuar Shkëndijës për të marë fitoren e parë në Turqi, pas barazimeve 0:0 dhe 1:1 në dy takimet paraprake me Beroen e Bullgarisë dhe Altach-in e Austrisë.
Në një ndeshje interesante, me tempo dhe intenzitet të kënaqshëm, Shkëndija dominoi takimin, kishte më shumë pronësinë e topit, krijoi më shumë raste, prej të cilave shfrytëzoi vetëm një dhe në fund me meritë i’u gëzua fitores. Shkëndija që në fillim nisi lojën e orientuar në sulm dhe kishte disa kansoje, ndërsa në anën tjetër goditjet nga distanca nuk shkaktonin problem për Hadis Velii-n. Bejtullai kishte rastin më të mirë në pjesën e parë, mirëpo portieri Shabanov me kohë lëshoi portën dhe evitoi rrezikun. Pak më vonë përsëri Shabanov në qendër të vëmendjes kur pret me sukses goditjen e Vruçinës nga gjuajtja e lirë. Sulmet e Shkëndijës nuk kishin të ndalur dhe në minutën e 36-të pas aksionit të mirë të Pollozhanit, Cuculit dhe Shabanit, Shabanov pret goditjen e Bejtullait. Në fillim të pjesës së dytë trajneri i Shkëndijës Shpëtim Duro kreu disa zëvendësime dhe ‘kuqezinjtë’ vazhduan të dominojnë në teren. Vetëm pesë minuta lojë i’u deshën Kurtishit për të sjellë kanosjen e parë nga distanca, mirëpo pa mundur të mposhtë portierin kundërshtar. Të përzgjedhurit e Duros dominonin dhe me kalimin e kohës vetëm rritnin presionin para portës kundërshtare. Në minutën e 63-të aksion i mrekullueshëm i Shkëndijës, Kurtishi me të parën pason në hapsirë për Zhuniorin i cili shmang mbrojtësin kundërshtar, kalon portierin dhe godet vetëm mbi portë. Ky ishte vetëm paralajmërim i asaj që pasoi nw vazhdim, kur kazakët nisën topin nga portieri, Pollozhani bën presion duke rëmbyer topin, mirëpo ndalet në zonë në mënyrë të parregullt, duke fituar penalti. Mensur Kurtishi nuk gabon dhe shënon për epërsi 1:0. ‘Kuqezinjtë’ vazhduan të dominojnë deri në fund, kishin edhe disa mundësi, mirëpo nuk arritën të sjellin golin e dytë në rrjetën kundërshtare. Në fund fitorja me meritë i ka takuar Shkëndijës, që rëmben triumfin e parë në përgatitjet në Antali. Ndërkohë kjo ishte fitorja e tretë e Shkëndijës në këto përgatitje, së bashku me dy triumfet në Ohër përballë Vrapçishtit (3:0) dhe Zajazit (5:0). Ekipi ende nuk ka shijuar humbjen në ndeshjet miqësore në kuadër të përgatitjeve dimërore, ka tre fitore, dy barazime dhe një gol-diferencë shumë pozitive me 10-të gola të shënuar dhe vetëm një të pranuar. Ekipi do të vazhdojë përgatitjet në Antali deri të shtunën, ndërsa pritet të luhet edhe një takim kontrollues. Të martën futbollistët kanë ditë të lirë, ndërsa nga e mërkura vazhdojnë me nga dy seanca stërvitore në ditë.
Burimi: KF Shkëndija




