Zgjedhja e presidentit do të kushtojë 4 milionë euro
|
Sipas të dhënave nga zgjedhjet e deritanishme, më së shumti para shpenzohen për kompensimin e anëtarëve, kryetarët e Këshillave zgjedhor, komisionet dhe për shtypjen e fletëvotimeve.
Nga 5 milionë euro që me Buxhetin për vitin 2014 janë përcaktuar për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), rreth katër milionë euro do të harxhohen për zgjedhjet presidenciale në pranverë.
Në arsyetimin e Buxhetit shkruan se prioritetet bazë të KSHZ-së për këtë vit janë që të sigurohen standardet e larta dhe zbatimi me sukses i zgjedhjeve për të parin e shtetit.
Nëse merret parasysh se në pranverë janë të mundshme dy palë zgjedhje (zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me presidencialet) dhe se për herë të parë këtë vit edhe diaspora do të votojë për presidentin e ardhshëm, ajo do të thotë se shifra prej katër milionë eurosh do të tejkalohet.
Por, sipas burimeve në KSHZ, këto para janë të pamjaftueshme që të mbahen zgjedhje të suksesshme. Sipas përllogaritjeve të tyre punë do të kryenin 6,5 milionë euro, duke përfshirë edhe votimin e diasporës.






