Ahmeti: Pa ajër, pa bukë dhe pa produkte qumështore nuk ka jetë (FOTO)
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) zhvilloi paraditen e sotme një takim sipas modelit “town hall” me bujqit dhe blegtorët e pjesës rurale të Shkupit, ku bëjnë pjesë fshatrat Hasanbeg, Straçincë dhe Haraçinë.
Takimi u zhvillua në praninë edhe të përfaqësuesve të Odës Ekonomike Veri-Perëndimore të Maqedonisë.Përmes një komunikimi pyetje-përgjigje, përfaqësuesit e BDI-së folën me kompetencë mbi secilën çështje të shtruar nga punonjësit e sektorit bujqësi-blegtori, duke sqaruar zgjidhjet që ofrojnë projektet e parapara në këtë fushë.
Në takim morën pjesë kandidatët për deputetë në Njësinë zgjedhore 2 dhe kryesuesi i Listës, Rexhail Ismaili. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti vlerësoi në fjalën e tij punën që kryejnë veprimtarët e këtij sektori, duke theksuar rëndësinë që ka ky i fundit në jetët tona.
“Një popull që ka bujqësinë e zhvilluar nuk mund të kurrë krizë buke dhe se, fatmirësisht, natyra i ka dhuruar vendit tonë mundësi për zhvillimin e këtij sektori. Bujqësia dhe blegtoria janë si ajri që thithim në çdo moment, në çdo kohë. Sepse kështu kemi nevojë edhe për ushqimin ditor.
Pa ajër, pa bukë dhe pa produkte qumështore nuk ka jetë”, tha Ahmeti. Ai shtoi se, duhet shfrytëzuar maksimalisht mundësitë natyrore që posedojmë, porse këtij qëllimi mund t’iadalim veçse përmes komunikimit dhe përfshirjes në politikat zyrtare të kërkesave dhe të nevojave të qytetarëve.
Politika e ka për obligim, vijoi Ahmeti, të krijojë kushte më të mira dhe programe që mënjanojnë pengesat e ofrojnë udhëzime sesi të zhvillohet ky sektor.
“Tradicionalisht, ne jemi punëtorë. Pjesa më e madhe jona nuk është rritur me bukën e huaj, por me prodhimet vendase, falë djersës së prindërve tanë. Sot po ndodh fenomeni i migrimit dhe po hasim raste kur bujqit e blegtorët tanë ruajnë kopetë në ndonjë nga vendet evropiane.
Atje ku punon rinia jonë, begatia mbetet atje, kurse këtu na mbetet varfëria. Sa më shumë begati andej, aq më shumë varfëri këndej”, tha Ahmeti, duke kërkuar investimin e punës në tokat tona. Ndërkohë, Shefi i Shtabit zgjedhor të BDI-së, njëherësh sekretar i përgjithshëm, Abdilaqim Ademi vuri në dukje rëndësinë që ka ky takim duke theksuar nevojën e miratimit nga qytetarët të programit zgjedhor.
Ndërsa drejtuesi i Komisionit për Hartimin e Platformës Zgjedhore, Fatmir Besimifoli mbi mundësitë që ofron programi i BDI-së, si dhe për reformat që propozon kjo e fundit për të lehtësuar shfrytëzimin e të mirave financiare të shtetit dhe të Bashkimit Evropian.
Ai bëri me dije se, fondet e BE-së për këtë sektor kapin deri sot vlerën prej 65 milionë eurosh, por nënvizoi se janë shfrytëzuar vetëm 8 milionë euro.Besimi njoftoi gjithashtu se, BE ka ndarë tashmë dhe një fond për 6 vitet e ardhshme në vlerë 90 milionë euro. “Kanë mbetur dhjetëra miliona euro që nuk janë shfrytëzuar dhe na presin edhe dhjetëra e dhjetëra miliona të tjerë.
Prandaj ne propozojmë reforma që këto mjete t’i shfrytëzojmë bashkërisht dhe të zhvillojmë sektorin e bujqësisë e blegtorisë, me të cilin na lidh ngushtësisht tradita jonë”, tha z. Besimi.
Ai njoftoi se, në periudhën e fundit 6-vjeçare janë ndarë rreth 560 milionë euro subvencione shtetërore, dhe se, falë përcaktimit të BDI-së për zhvillim rajonal të barabartë, 45 për qind e kësaj vlere është shpërndarë në komunat e banuara me shqiptarë.
Bujqit shqiptarë shfrytëzuan rastin të marrin sqarime për procedurat dhe mundësitë që u ofrohen, ndërsa shtruan dhe nevojat e tyre. Problemi kryesor i bujqve rezultoi të jetë çmimi i shitjes së prodhimeve dhe pengesa që ata hasin nga organizata apo individë, për ç’gjë u dhanë disa rrugëzgjidhje nga Sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Besir Jashari.
Ky i fundit tha se, ndonëse shteti nuk ka mekanizëm për të ndërhyrë, duhet të kërkohen mënyra përmes Odave ekonomike që kompanitë të cilat kanë ngritur monopolet e tyre, të gjejnë gjuhë të përbashkët me prodhuesit.
Jashari njoftoi se janë ngritur pikat e grumbullimit në Vrapçisht për Pollogun dhe një tjetër për Likovën, ndërsa bëri me dije se, po vijon aktualisht ndërtimi i dy hidrosistemeve, njëri prej të cilëve në Sllupçan. “Penda e lumit në Sllupçan do të ketë ndikim të ndjeshëm për ujin e pijshëm dhe për ujin e vaditjes”, tha z. Jashari.




