Anketë e IHPQM-së: BDI 11.1%, PDSH 3.9%, RDK 1.1%
Një sondazh i Institutit për Hulumtimin e Politikave dhe Qeverisje të Mirë (IHPQM) për zgjedhjet parlamentare ka nxjerrë fitues absolut tek shqiptarët BDI-në e Ali Ahmetit.
Nga anketa shihet rënie e thellë e rejtingut të PDSH-së së Menduh Thaçit, ndërsa vërehet ngritje e rejtingut tek opozitarja maqedonase LSDM.
Rezultatet e anketës tregojnë se besueshmëri më të lartë vazhdon të ketë VMRO-DPMNE me 25.1% mbështetje, LSDM 19.9% tek blloku maqedonas, kurse tek ai shqiptarë BDI 11.1%, PDSH vjen me 3.9% përkrahje dhe RDK me 1.1%.
Të tjerët, sipas sondazhit janë përgjigjur, “Nuk e di”, “Ende s’kam vendosur” dhe “Nuk do të votoj”si dhe parti të tjera pozicionohen nën 1%.
Hulumtimi është aplikuar edhe në 1000 të anketuar që i përkasin etnikumit shqiptarë rreth pyetjes nëse do të dalin të votojnë në zgjedhjet presidenciale të 13 prillit.
Pjesa dërmuese e shqiptarëve janë përgjigjur se nuk do të dalin të votojnë në zgjedhjet presidenciale edhe atë 86.5%, kurse 12.1% janë përgjigjur se do të dalin dhe 1.4% nuk kanë vendosur ende.
Ndryshe, anketa është zhvilluar në periudhë prej 4-6 prill nëpërmjet telefonit nga 1060 të anketuar. Gjatë procesit të anketimit janë plotësuar të gjitha karakteristikat demografike dhe specifikat epopullatës (siç janë struktura etnike, mosha, arsimi dhe gjinia). Gabimi margjinal (statistikorë) për të dhënat është ±3%.




