Dy vite nga vrasja e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit - tetova1.com

Dy vite nga vrasja e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit


Kategoria: Lajme

Postuar më: Sht, Pri 12, 2014





Sot janë mbushur dy vite nga vrasja e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit, ku u vranë katër të rinj dhe një peshkatar maqedonas.

Në mbrëmjen e 12 prillit të vitit 2012 u vranë katër të rinjtë Filip Slavkovski, Aleksandar Naqevski, Cvetanço Acovski, Kire Tropovski si dhe peshkatari 45 vjeçar Borçe Stevkovski nga lagja e Radishanit të Shkupit, të cilët mbetën të vrarë në orët e mbrëmjes, informon INA.

Dy vite më pas, autoritetet e Shkupit po zhvillojnë një proces gjyqësor, ku shtatë shqiptarë akuzohen nga Prokuroria si autorët e vrasjes. Ata u arrestuan në kuadër të një operacioni policor të koduar “Monstra”, kur në majin e 2012 u shoqëruan dhjetëra burra dhe gra, nga rajoni i Shkupit, Haraçinës dhe Kumanovës, me dyshimet se ishin pjesë e realizimit të vrasjes dhe se në pretendimet e para MPB theksoi se bëhet fjalë për të xhihadit islamik.

Procesi gjyqësor për rastin “Monstra” ka nisur më 20 dhjetor 2012 dhe dosja disa faqëshe akuzon për vepër terrorizëm dhe vrasjen e kryer Alil Demirin, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Rami Sejdini si dhe Haki Haziri për ndihmën e dhënë gjatë kryerjes së aktit të vrasjes. Por nga fundi i vitit të kaluar u arrestua edhe një i ri tjetër shqiptar, Sami Luta, 27 vjeç nga Shkupi, i cili në aktakuzë thuhet se është bashkëpjesëmarrës në këtë vepër terrorizmi.

Dy të akuzuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq janë në burg në Prishtinë dhe se akoma nuk ka ndodhur ekstradimi i tyre, pas shumë kërkesave nga autoritetet e Shkupit.

Avokatët mbrojtës të të dyshuarve kanë hedhur poshtë si të pabaza akuzat e ngritura dhe dëshmitë e deritanishme të paraqitur nga hetuesia.

“Unë mbaj qëndrimin e qartë dhe argumentet se nuk ka prova dhe dëshmi lidhur me aktakuzën e ngritur”, ka theksuar avokati Naser Raufi, duke shtuar se bëhet fjalë për proces të montuar gjyqësor dhe që ngjason rasteve të tjera të montuara sikur Sopoti, Vreshtat e Rashtakut dhe raste tjera të montuara me motive të tjera.