Matematika e bërë gabim - Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni
Nazmi Misini
Na ndajnë shumë pak nga mbajtja e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni, kur në garë, përveç tre kandidatëve të partive maqedonase, është edhe Ilaz Halimi, i kandiduar befasisht nga PDSH-ja e Menduh Thaqit.
Tanimë është e kotë të shtrohet pyetja se pse nuk u arrit një marrëveshje në mes faktorit shqiptar në Maqedoni për t’u përkrahur ideja e Ali Ahmetit për president konsensual, ide kjo që, po të realizohej, pa mëdyshje do të fuqizonte institucionalisht në masë shumë më të madhe faktorin shqiptar në Maqedoni dhe do t’i jepte një kuptim të ri këtij faktori në zgjedhjet parlamentare të 27 prillit që do të mbahen në Maqedoni.
Kështu si është gjendja tani, BDI-ja e Ali Ahmetit e fton elektoratin shqiptar që të mos votojë asnjërin nga kandidatët për kryetar shteti të këtij vendi kurse PDSH-ja e Menduh Thaçit po bën fushatë për kandidatin e vet për president , sado që e ka fare të qartë se ai kurrë nuk mund të fitojë!
Lëre më që Prishtina dhe Tirana zyrtare fare nuk u morën me një projekt, si ai i presidentit konsensual të Maqedonisë, i cili mund të quhet edhe historik, po të realizohej, mirëpo edhe mass-mediat e Kosovës dhe ato të Shqipërisë ndaj këtij projekti u sollën sikur Maqedonia të ishte në një kontinent tjetër dhe sikur në strukturën e popullsisë së atij vendi të mos kishte fare shqiptarë!
Nëse Tirana zyrtare është mësuar që vazhdimisht të heshtë apo të jetë indiferente me atë që ndodh jashtë kufijve londinez të saj dhe nëse Prishtina është ende në kornizat e Pakos së Ahtisarit, që nuk i lejojnë shumë pavarësi edhe në qeverisjen e shtetit të sapokrijuar, atëherë çfarë justifikimi mund të kenë mass-mediat shqiptare që gati një çerek shekulli ndaj problemeve të shqiptarëve në Maqdeoni sillen sikur ato të mos ekzistonin fare.
Tanimë nuk do fare koment se matematika e Menduh Thaçit që partia që udhëheq ai, të dalë me një kandidat shqiptar për president nuk është asgjë tjetër pos një matematikë filloristësh e bërë fare keq e që qon ujë kah forcimi i një shteti unitar e jo nga hapja e mëtutjeshme e hullive për një shtet qytetar ashtu siç e dikton përbërja e popullsisë së këtij vendi.
Sidoqoftë nuk janë humbur të gjitha. Ideja e Ali Ahmetit për president konsensual është në testim : elektorati shqiptar në Maqedoni, të dielën që vjen do të ketë mundësi që të sprovohet për të mos e votuar asnjë nga kandidatët për president të Maqedonisë, pavarësisht se për këtë është bërë pak sensibilizim sidomos jashtë Maqedonisë dhe krejt faji nuk mund t’i atribuohet atij elektorati, edhe nëse një masë e tij del për të votuar, për shkak se propaganda për votim është shumë më e madhe se ajo për bojkotim.
Pra shansa është e hapur: shqiptarët në Maqedoni e kanë instrumentin në dorë-votën e tyre dhe kanë mundësinë që të dëshmohen se Maqedonia nuk mund të ketë president kundër vullnetit të tyre dhe se më në fund ,shqiptarëve iu takon që së paku, posti i nënpresidentit të rikthehet në Kushtetutë dhe , natyrisht, që atyre iu takon ky post.
Ata që tani nuk e përfillin kërkesën për zv/president të përkatësisë shqiptare dhe kërkesën që Maqedonia të ketë president konsensual, herët ose vonë do të dëshmohet se matematikat i kanë bërë gabim dhe se janë në anën e kundërt të rrjedhave moderne politike! Pra, këta rreshta janë një nga zërat nga Prishtina që shqiptarët në Maqedoni këtë të diel mund të gjenden ku të duan, por jo para kutive të votimit !
(Autori është ish-kryeredaktor i “Rilindjes” dhe publicist në Kosovë)




