60% e punëtorëve ende pa K-15
|
60% e punëtorëve në sektorin privat ende nuk kanë marrë pagën shtesë për pushimit vjetor, të njohur si K-15. Kështu tregojnë të dhënat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Por, probleme ka edhe tek ata që e kanë marrë tashmë këtë pagë. Një pjesë e firmave, pas akordimit të pagës, ia kanë kërkuar sërish punëtorëve që t’ua kthejnë paratë në dorë. Në raste mos pajtimi, punëtorët ndëshkohen me gjoba deri sa ta kthejnë pagën prej 8500 denarësh. Punëtorët frikësohen të flasin në publik, por vazhdimisht bëjnë telefonata anonime nëpër sindikata.
“Ekzistojnë edhe kërkesa që paratë të kthehen, ekziston edhe në ndonjë mënyrë ndëshkimi e punëtorëve, që mos t’u paguhet pjesa shtesë. Ajo e drejtë e fituar, kur nuk realizohet, i shkurajon punonjësit”, deklaroi Mile Boshkov, Konfederata e Punëdhënësve të Maqedonisë.
Kryetari i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë Angell Dimitrov, nuk pranon të ketë raste të tilla mashtrimi.
“Unë mendoj se ato janë raste shumë të rralla dhe ndoshta thjesht zëra që fliten, sepse në Maqedoni, e dini, situata ka ndryshuar, nga ajo që ekzistonte 10 vjet më parë. Punëdhënësit kërkojnë punëtorë të mirë, jo vetëm sepse të rinjtë kanë filluar të shkojnë jashtë shtetit, por edhe për faktin se kjo fuqi pune që mbeti këtu, ka më shumë mundësi ta ndryshojë vendin e punës ose punëdhënësin”, theksoi Angjell Dimitrov, kryetar i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë.
Nëse në dy muajt e ardhshëm, përkatësisht deri në Vitin e Ri pronarët nuk i paguajnë punëtorëve rrogën vjetore të pushimeve, rrezikojnë të dënohen me gjoba që fillojnë nga 3 mijë euro.Ferikan Iljazi










