Dy shtete shqiptare-dy ambasada - Fisnik Rexhepi
Ishte pikërisht ambasadori i Belgjikës në Londër, i cili kohë më parë na ftoi në një drekë, së bashku me disa kolegë të mi nga universiteti, gjatë së cilës pos në ecuritë politike ndërkombëtare, debati u përqendrua edhe në rolin e ambasadave. Përfaqësuesi belg shprehej se rëndësia e Ambasadës belge në Londër është e paperspektivë. Kjo nënkuptonte se roli i Ambasadës belge në Londër nuk kishte më efektin, siç e kishte në periudhën e Luftës së Ftohtë në veçanti.
Një komoditet i tepërt
Ky reflektim i përfaqësuesit belg mund të ndërlidhet edhe me shtetin e Republikës së Kosovës. Pra, sa është e arsyeshme që Kosova të ketë ambasadë gjithandej në Evropë, posaçërisht në Shqipëri. Sa është e logjikshme që dy shtete shqiptare të kenë dy ambasada. Për më shumë, ambasadat e Kosovës në Bullgari, Kroaci, Slloveni, Maqedoni, Zyra ndërlidhëse në Serbi, në shekullin XXI përbëjnë një komoditet, sidomos për një shtet të vogël e të varfër ekonomikisht siç është Kosova. Roli i ambasadës gjithnjë shërbeu si strehë për fuqitë e mëdha, të cilat influenconin interesat e tyre kombëtare, disa prej tyre ndoshta edhe shërbyen si “safe house” për operacione të inteligjencës. Në këtë kontekst, shtrohet pyetja sa mund të influencojë Kosova politikë – bërje në shtetet përreth? Andaj shpenzimet aq zemërgjera të Ministrisë së Jashtme të Kosovës për misione diplomatike në shtetet e sipërpërmendura pa arsye të forta nuk gjenerojnë përfitime politike për Kosovën. Influenca politikëbërëse në marrëdhëniet ndërkombëtare nga Zagrebi, Vjena, Budapesti, Sofja, Roma, në kontekstin aktual kohor janë të minimizuara.









