Operatorë të rrëshqitshëm: Aventura maqedonase T-Mobile
|
BIRN tregon se si hetimi mbi një marrveshje telekomi rezultoi në një dënim prej 95 milion dollarësh në ShBA, ndërkohë që politikanëve të përfshirë në Maqedoni s’u hyri therrë në këmbë
Fjalët s’kushtojnë para – por planet e foljes në telefon nuk kanë qenë gjithmonë falas. Në kohët e errëta para se smartfonat kishin me ta sjellë internetin në xhep, çdo minutë bisede në celular matej me xhelozi.
U desh një rrugë e gjatë deri tek trafiku i lirë dhe i shpejtë valor. Për shumicën e vendeve, kjo ka përfshirë hedhjen n’ankand të frekuencave të telekomit, ndërtimin e rrjeteve dhe shkatërrimin e monopolit përmes konkurentëve.
Por në Maqedoni, një nga vendet më të varfra t’Europës, rruga për foljen e lirë mori disa drejtime misterioze.
Qeveria e Maqedonisë dhe Magyar Telekom janë partnerë në një rrjet telekomi me zyra në qendër në Shkupit.
Sipas prokurorëve të Shteteve të Bashkuara, kjo përfshinte takimet e fshehta në hotelin Hollidej In, shkatërrimin e provave jetike dhe lëvizjen e milionave Euro në kompani të regjistruara në Qipro.
Ndërsa për konsumatorin e thjeshtë, kjo u përkthye në pagesa të panevojshme të larta të thirrjeve telefonike.
“Kisha fatura që do ta tronditnin edhe një pasanik,” thotë Zharku, pedagog 35-vjeçar universiteti, duke kujtuar vitet e para të mijëvjeçarit kur kishte vetëm dy operatorë celularë në vend.
Ky artikull nga Rrjeti i Raportimit Investigativ Ballkanik Balkan (BIRN) tregon se si qytetarët e Maqedonisë paguan çmimin e një marrveshjeje mes qeverisë së tyre dhe partnerit të saj në industrinë e telekomit – një seksion i Deutsche Telekom-it, gjigantit botëror që qëndron pas markës T-Mobile.
Ai gjithashtu pahëson se si politikanët maqedonas që ishin të përfshirë në marrëveshje mund të kenë shkelë ligjin – por mbesin ende të pahetuar. Ndërkohë, firmat e telekomit kanë paguar 95 milion dollarë për mbylljen e padive për korrupsion në Shtetet e Bashkuara.
“Prokurorët maqedonas nuk duhet ta lejojnë këtë rast të kalojë,” thotë Dragan Malinovski, ish-kryetari i organit kryesor anti-korrupsion të vendit. “Është e pamendueshme të pritet që amerikanët të veprojnë në vendin tonë.”
Pas çdo veprimi ryshfeti qëndron një burim, një motiv dhe një marrës. Prokurorët amerikanë mund të argumentojnë se kanë bërë më shumë se gjysmën e punës – gjurmuan kush bëri pagesa korruptive, dhe pse.
Por homologët e tyre në gjyqësorin maqedonas duhet që ta zgjidhin çështjen e tretë – ku shkuan paratë.
“Masa ndreqëse”
Zharkoja tani jeton në Gjermani. Si gjithë të tjerët, ai rri në lidhje me familjen duke përdorë shërbimet e internetit falas si “skajpi” dhe “viberi”.
Ai u largua nga Maqedonia më 2006. Më i madhi nga dy rrjetet e telefonisë celulare drejtohej nga MakTel – sipërmarrje e përbashkët mes qeverisë dhe Magyar Telekom, seksionit hungarez të gjigandit botëror të telekomit Deutsche Telekom. Ngaqë marka T-Mobile ende nuk ishte prezantuar në Maqedoni, shërbimi mobil i MakTel-it njihej si MobiMak.
I shtrenjtë për konsumatorët, sundimi i tregut valor nga MakTel-i ishte shumë fitimprurës për pronarët e tij. Pagesat e përqindjeve nga kompania ishin “një burim kolosal të ardhurash për qeverinë maqedonase”, sipas dokumenteve paraqitë në një gjykatë amerikane.
Gjithsesi, aureola sunduese e MakTel-it do të sulmohej në vitin 2007, kur një operator i tretë mobil fitoi licencën. VIP, seksion i Telekom Austria, hyri në tregun maqedonas atë vit.
Ai e njoftoi zbarkimin e vet duke ofruar tarifa thirrjeje të parapaguara që ishin 71 për qind më të lira se kontratat aktuale, sipas një zëdhënësi të VIP-it në Shkup. Pas një viti, ai kishte 10 për qind të tregut. Më 2013, ajo shifër po i afrohej 30 përqindëshit.
“Hyrja e VIP-it në tregun maqedonas prezantoi konkurrencën në kuptimin e vërtetë të fjalës,” tha zëdhënësi.
Ndërtesa e vjetër e telekomit dhe postës së Maqedonisë daton nga era jugosllave dhe së shpejti do të fshihet pas një fasade neo-baroke.
Rrjeti valor i MakTel-it kishte gëzuar një periudhë të gjatë kulmi qysh prej shndërrimit në sipërmarrje e përbashkët private më 2001. Për gjashtë vitet e ardhshme, rivali i tij i vetëm kishte qenë rrjeti tjetër tejet më i vogël Cosmote.
Kjo sajdisje e kishte shqetësuar Bashkimin Europian, ku Maqedonia kishte aplikuar për antarësim. Brukseli e donte sektorin e telekomit të liberalizuar. Me synimin për ta plotësuar këtë kërkesë, Maqedonia miratoi një ligj që do të lejonte një operator të tretë në treg.
Ligji u miratua më 2005 por do të kalonin edhe dy vjet para se VIP-i ta fitonte licensën. Pse u desh kaq gjatë të lejohej konkurenca?
Sipas dokumentave gjyqësore amerikanë, përgjigjja gjendet në një marrëveshje të fshehtë, nënshkruar mes qeverisë në Shkup dhe Magyar Telekom-it, partnerit të saj në MakTel.
Marrëveshja thuhet të ketë ruajt pozitën e privilegjuar të MakTel-it në treg, në kundërshtim me ligjet maqedonase.
BIRN-i ka marrë një kopje të marrëveshjes, e cila duket se i jep kompanisë të drejtën të ndikojë rregulloret mbi telekomin. Ligje të tilla normalisht janë ekskluzivitet i rreptë i qeverive sovrane.
Një ish-kryeministër maqedonas, Vlado Buçkovski, i ka konfirmuar BIRN-it se ai e ka nënshkruar marrëveshjen, për të cilën ngulmon se nuk ishte as e fshehtë dhe as e paligjshme.
Gjithsesi, bash kjo marrëveshje ishte në qendër të dy hetimeve që rezultuan në miliona dollarë fitime për agjencitë qeveritare amerikane, siguruar me marrëveshje jashtë gjykatës.
Deutsche Telekom dhe Magyar Telekom i kanë paguar Departamentit të Drejtësisë amerikan një dënim të kombinuar prej 63.9 milion dollarësh më 2011. Magyar Telekom i ka paguar edhe 31.2 milion dollarë të tjerë Komisionit të Sigurimeve dhe Shkëmbimeve (SEC), rregullatorit financiar amerikan.
Sipas një zëdhënësi të Deutsche Telekom, marrveshja e firmës me autoritetet amerikane nënkuptonte bashkëpunimin e saj me hetimet, “masat ndreqëse” që kishte ndërmarrë deri më tash, si dhe përkushtimin e saj për masa të mëtejme të tilla.
Në një deklaratë me email dërguar BIRN-it, zëdhënësja Elpida Trizi thotë se Deutsche Telekom i kushton “vëmendje të madhe” ndaj “politikave anti-korruptive dhe procedurave të tjera të përshtatjes”.
SEC-i aktualisht po ndjek një rast të tretë civil kundër tre ish-drejtuesve ekzekutivë të Magyar Telekom për korruptimin e zyrtarëve qeveritarë. Ata i mohojnë akuzat.
Hetime të ndalura
Marrëveshja e kombinuar prej 95 milion dollarësh është në mesin e dhjetë pagesave më të larta arrit nën Aktin e Praktikave Korruptive të Huaja (FCPA). Ky ligj ia ndalon firmave që janë të përfshira në bursat amerikane të japin ryshfet apo të bëjnë pagesa të parregullta ndaj zyrtarëve të huaj.
Marrëveshjet jashtë gjykatave nënkuptojnë se asnjëra kompani nuk duhet ta pranojë apo ta mohojë faktin. Sipas termave të marrëveshjes, Departamenti i Drejtësisë tha se nuk do të padisë asnjërën nga firmat për dy vitet e ardhshme, për sa kohë që ato do të vazhdonin të përmirësonin procedurat e përshtatjes dhe do t’i bindeshin ligjit.
Edhe Magyar Telekom pranoi si “të vërteta dhe të sakta” një varg akuzash të hollësishme për pagesa korruptive që ishin përfshirë në marrëveshjen e shmangies së akuzave.
Këto akuza gjithsesi mund të kundërshtohen nëse rasti përfundon në gjyq.
“Thjesht pse një kompani pranon një grup të caktuar faktesh, ky pranim nuk është detyrues vis a vis palëve të treta,” thotë Majk Kohler, profesor drejtësie në Universitetin Jugor të Ilinoisit, që shkruan në blogje për zbatimin e FCPA-së.
Prokurorët amerikanë prapë se prapë kanë zbuluar një thesar dëshmish që tregojnë një skemë që dukej se siguronte pagesa korruptive për zyrtarët maqedonas.
Por, asnjë zyrtar qeveritar në Maqedoni nuk është hetuar për rastin, më se pesë pesë vjet pasi agjencitë amerikane filluan hetimet e tyre.
Vetëm katër persona janë akuzuar nga prokurorët në Shkup lidhur me çështjen e telekomit. Të gjithë janë shtetas të huaj. Akuzat kundër njërit prej tyre u rrëzuan kohët e fundit. Tre të mbeturit nuk janë sjellë asnjëherë përpara gjykatës. Akuzat u hodhën më 2008.
“Në këtë shkallë të procedurës, asnjë nga kërkesat ligjore për një mandat ndërkombëtar arresti nuk është plotësuar,” i tha BIRN-it një zëdhënës i Gjykatës Kriminale në Shkup.
Malinovski, ish-kreu i organit shtetëror anti-korrupsion, thotë se prokurorët e vendit sigurisht që janë në gjendje të zhvillojnë një hetim më të fortë.
“Çështja është se a duan ta bëjnë këtë,” shprehet ai. “Korrupsioni duhet të jetë drejtuar kah disa zyrtarë. Kapja e këtyre zyrtarëve nuk duhet të kërkojnë mandat ndërkombëtar arrestimi.”
Marrëveshja në ShBA akuzonte gjithashtu Magyar Telekom-in për korruptimin e zyrtarëve qeveritarë në Mal të Zi. Megjithatë, edhe pas një hetimi parlamentar në atë vend, askush nuk është akuzuar.
Presion nga Brukseli
MakTel-i hyri në mijëvjeçarin e ri si relikte e të shkuarës komuniste të Maqedonisë.
Firma zotërohej plotësisht nga shteti dhe kishte monopol të plotë mbi lidhjet telefonike të fiksuara e po ashtu edhe mbi një rrjet mobil në hapat e tij të parë. Në janar 2001, qeveria e drejtuar nga një parti e njohur nga shkurtesa e saj VMRO-DPMNE, ia shiti shumicën e aksioneve të firmës një konsorciumi të drejtuar nga Magyar Telekom.
“Plani jonë është më se i thjeshtë,” u citua të thoshte ish-drejtuesi ekzekutiv i firmës hungareze, Elek Straub, në një kumtesë për shtyp të kompanisë. “Duam të japin shërbimin më të mirë të mundshëm me çmime të pranueshme.”
Nikola Gruevski, kryeministri aktual maqedonas që kishte postin e ministrit të financave në atë kohë, tha se shpresonte që privatizimi të ishte shenjë për gjërat e ardhshme. Ai aludoi për origjinën gjermane të kompanisë prind të Magyar Telekom-it, Deutsche Telekom.
“Shitja… është zgjidhja më e mirë dhe unë besoj se do të sjellë investitorë të tjerë gjermanë në Maqedoni,” citohet ai në një kumtesë tjetër për shtyp.
Porse në verë të vitit 2001, do të ishin diplomatët e huaj, dhe jo investitorët, të cilëve Maqedonia do t’ua tërhiqnin vëmendjen.
Guerilasit nga pakica etnike shqiptare kishin marrë armët kundër shtetit. Kryengritja e tyre – dhe kundërpërgjigjja ushtarake maqedonase – e solli vendin në zgrip të luftës civile. Me mijëra persona u zhvendosën ndërsa luftimet përshkallëzoheshin.
Ndërmjetësuesit nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian i ulën palët ndërluftuese në tryezën e negociatave. U arrit një marrëveshje paqeje, duke i eliminuar armiqësitë. Më 2002 zgjedhjet e reja sollën ndryshimin e qeverisë.
Socialdemokratëve, njohë nga shkurtesa e partisë së tyre SDSM, iu bashkua në koalicion një parti më e vogël e shqiptarëve etnikë, BDI-ja, drejtuesit e së cilës vinin nga lëvizja guerile.
I çliruar pse shmangu një luftë tjetër ballkanike, Bashkimi Europian e shpërbleu Maqedoninë duke e shpejtuar aplikimin e saj për anëtarësim. Gjithashtu filloi të shfaqte interes gjithnjë e më të madh për sektorin telekomunikues të vendit, ende i sunduar nga MakTel-i monolit.
Radmilla Sheqerinska, deputetja e opozitës që atëherë ishte ministre integrimi nga SDSM-ja, thotë se Brukseli “promovoi liberalizimin e tregut të telekomit”.
“Konkurrencë e padëshirueshme”
Në shkurt 2005, qeveria maqedonase miratoi ligjet që do t’i hapnin rrugë konkurrentëve në atë sektor, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian.
Ligji i ri përfshinte dispozita të ashpra anti-korrupsion, duke shprehur që ai do t’i pengonte operatorët me “përqindje të konsiderueshme tregu” nga “keqpërdorimi i pozitës së tyre”. Ai gjithashtu përcaktoi një pagesë më të lartë frekuence mbi rrjetet – me fjalë të tjera, do të paguanin më shum për përdorimin e trafikut ajror.
Megjithatë, disa drejtues nga Magyar Telekom nuk ishin shumë të kënaqur nga perspektiva e një konkurenti të ri.
Sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, dy punonjës të kompanisë ia transmetuan pakënaqësinë e tyre zyrtarëve qeveritarë maqedonas në një takim në Shkup në janar 2005 – një muaj para se të miratohej ligji. I pranishëm në takim ishin edhe tre burra të referuar nga gjykata si “ndërmjetësues grekë”.
Sheshi qendror i Shkupit tani mbizotërohet nga përmendorja e një luftëtari me kalë.
Majin pasues, drejtuesit e Magyar Telekom-it nënshkruan një marrëveshje me një politikan të lartë maqedonas. Qëllimi i saj, sipas dokumenteve të gjykatës, ishte “to vonohej ose të përjashtohej” dhënia e licencës së telefonisë mobile një kompanie të tretë.
Marrëveshja gjithashtu “do të zbuste pasojat e tjera të këqija të ligjit të ri”, pjesërisht duke e përjashtuar MakTel-in nga detyrimi për të paguar “sasinë e plotë të pagesës së rritur për frekuencën”.
Në fund të majit 2005, zyrtarë qeveritarë maqedonas u takuan me drejtuesit ekzekutivë të Magyar Telekom-it në hotelin Hollidej In të Shkupit. Ishin të pranishëm edhe dy nga ndërmjetësuesit grekë.
Sipas dokumentave të gjykatës, të gjitha palët në takim “u pajtuan ta mbanin të fshehur qënien dhe qëllimin e marrveshjes ndaj të tjerëve, përfshi auditorët e Magyar Telekom-it dhe publiku”.
Në gusht t’atij viti, këta dokumenta tregojnë se drejtuesit e Magyar Telekom-it përgatitën një marrveshje tjetër të fshehtë për një zyrtar të dytë të lartë maqedonas nga një parti më e vogël politike.
Për ta marrë mbështetjen e këtij zyrtari, ata premtuan “një rast biznesi” për “një njësi të përzgjedhur” nga partia e tij politike. Rasti nuk u jetësua kurrë – por mbështetja e zyrtarit prapseprap u sigurua dhe dokumenti u nënshkrua.
Kopjet e vetme të nënshkruara të të dyja marrëveshjeve të fshehta iu besuan njeriut të identifikuar në dokumentet e gjykatës si ndërmjetësuesi i parë grek.
“Marrëveshje legjitime”
BIRN-i ka marrë kopje të panënshkruara të të dyja marrëveshjeve, secila me titullin “Protokoll Bashkëpunimi”.
Marrëveshja e parë lë hapësirë për firmën e një përfaqësuesi të qeverisë maqedonase, cilësuar në protokoll si “Vlado Buçkovski” – njeriu që atëbotë ishte kryeministër.
Gjatë një interviste në ndërtesën e universitetit të Shkupit, ku tani ligjëron në fakultetin juridik, Buçkovski e konfirmoi që me të vërtetë e ka nënshkruar protokollin. “S’ka asgjë të dyshimtë këtu, kjo nuk është marrëveshje korruptive,” u shpreh ai për BIRN-in.
Protokolli nuk u rendit asnjëherë në arkivat e qeverisë, siç kërkohet nga ligji maqedonas. Megjithatë, Buçkovski këmbëngul se ajo nuk ishte sekrete. Ai thotë se forma e marrëveshjes nuk e kërkonte që ajo të futej në regjistrat zyrtarë.
Përkrah karrierës akademike, Buçkovski vazhdon të ndjekë një karrierë në politikë. Ai është ndarë me SDSM-në, që tashti është forca më e madhe në opozitë. Si drejtues i një partie të re, ai tani është kthyer në kritik të ashpër të partisë nga e cila u largua.
Buçkovski është i përfshirë edhe një rast të kahershëm për prokurimet ushtarake, ku akuzohet se e ka fryrë një porosi për pjesë këmbimi tankesh. Këtë verë u dënua me tre vjet burg për rolin e tij në këtë çështje. Ai i ka hedhë poshtë akuzat dhe po e apelon vendimin.
Buçkovski thotë se protokolli nënkuptonte zgjidhjen e një impasi me Magyar Telekom-in në një kohë kur kompania i detyrohej partnerit të vet në MakTel, qeverisë maqedonase, dividendë në vlerën e disa viteve.
“Protokolli i bashkëpunimit nuk e rregullon liberalizimin e tregut,” thotë ai. “Protokolli në fakt rregullon marrëdhënien [me Magyar Telekom-in]. Para së gjithash, ai vendos se si do të paguhet dividendi. Si dhe përmend planet e ardhshme.”
Protokolli vërtet që nuk i referohet ndonjë afati të ri për pagesën ndaj qeverisë të përqindjes së saj të dividendit.
Ai gjithashtu thotë se pagesat e ardhshme do të jenë të kushtëzuara nga “besueshmëria e kornizës rregullatore” në tregun maqedonas të telekomit.
Më tej, në protokoll thuhet se çdo nënligj në Maqedoni “do të miratohej me konsultimin paraprak të MakTel/Matav-it”. Matav-i ishte emri i mëparshëm i Magyar Telekom-it.
Tjetërkund protokolli shprehet që qeveria e Maqedonisë “do të pranojë të gjitha propozimet për nënligje që do të jepen nga MakTel/Matav-i” – për sa kohë që ato janë në përputhje me “ligjin dhe praktikën Europiane”.
Në padinë aktuale kundër drejtuesve ekzekutivë të Magyar Telekom-it, mbrojtja ka shtjelluar që protokolli s’ishte asgjë më shumë se një “memorandum mirëkuptimi” mes dy aksionarëve në MakTel.
Larg nga të qenit, mbrojtja thotë se protokolli thjesht pasqyronte “kompromise të negociuara politike dhe tregtare” që ishin në përputhje me ligjet dhe praktikat europiane.
Gjithsesi, SEC-i shtjellon që synimi mbrapa marrëveshjes nuk ishte aspak i pafajshëm.
“Protokolli i bashkëpunimit ishte i paligjshëm sipas ligjit maqedonas,” thotë aktpadia kundër tre drejtuesve ekzekutivë të Magyar Telekom-it.
“Ai i kërkonte zyrtarëve qeveritarë të shpërfillnin detyrimet e tyre të ligjshme” duke bllokuar hyrjen e një operatori të tretë dhe duke zvogëluar komisionet që duhej të paguante MakTel-i.
Kopja e protokollit të dytë të bashkëpunimit e marrë nga BIRN-i ka hapësirë boshe për nënshkrimin e një përfaqësuesi tjetër të qeverisë maqedonase – Xhemali Mihazi, ish-ministri i telekomunikacionit. Mehazi është anëtar i BDI-së, partia etnike shqiptare që u partnerizua me LDSM-në në koalicionin e pasluftës.
Ai nuk i është përgjigje asnjë kërkese të BIRN-it për koment. BDI-ja mbetet në qeveri dhe tashti është partner pakicë në një koalicion të drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja.
Kontrata të dyshimta
Ashtu si operatori maqedonas që me gjasë do ta blinte, Magyar Telekom doli nga rrënojat e komunizmit të Europës Lindore si një rrjet tjetër i zotëruar nga shteti me pozita monopolistike.
Kompania u privatizua gjatë viteve 1990, me Deutsche Telekom-n që pak nga pak do të merrte shumicën e aksioneve.
Më 1997, Magyar Telekom i listoi aksionet e veta në bursën e Nju Jorkut – një moment krenarie që pasqyronte fuqinë në vendin e vet dhe ambiciet e tij jashtë. Sipas faqe së internetit të kompanisë, ajo ishte firma e parë nga Europa Qendrore dhe Lindore që listohej në bursë.
Afërsisht një dekadë më vonë, ky listim do t’ia lejonte SEC-ut të hetonte Magyar Telekom-in sipas ligjit FCPA.
Ndërkohë që ky ligj aktualisht merret me firmat me qendër në ShBA, ai gjithashtu mund të përdoret për të hetuar çdo kompani të huaj që është listuar në bursat amerikane dhe paraqesin bilanc pranë SEC-ut.
Andrija Mandiq, drejtuesi i opozitës malazeze, thotë se prokurorët vendas nuk e kanë ndjekur raportin e komisionit të tij.
Shkaktari i hetimit dhe me gjasë edhe zbulimit të protokolleve të fshehta, ishte një auditim rutinë nga PricewaterhouseCoopers, konsulentët financiarë të Magyar Telekom-it.
Kjo nxori në dritë dy kontrata nga viti 2005, ku “natyra dhe qëllimet e biznesit… nuk ishin menjëherë të qarta”, sipas një raporti që do të paraqitej nga Magyar Telekom më 2009.
Në shkurt 2006, komiteti i auditimit në kompaninë e telekomit angazhoi kompaninë ligjore White & Case për një hetim më të thellë. Kompania zbuloi kontrata edhe më të dyshimta. Ajo gjithashtu raportoi se disa punonjës të Magyar Telekom-it kishin shkatërruar dokumente, që ajo kishte shpresuar t’i përdorte gjatë hetimit.
Komiteti urdhëroi zhvillimin e një hetimi të brendshëm më të gjerë. Ky hetim nxori përfundimin më 2009 se drejtues të lartë ekzekutivë në Magyar Telekom dhe MakTel kishin autorizuar harxhimin e 24 milion Eurove përmes më se 20 kontratave të dyshimta.
Kontratat ishin me sa thuhej për shërbime si këshillimet dhe lobimi. Por në të vërtetë nuk kishte dëshmi se ndonjë farë pune ishte kryer në kohën apo mënyrën e përshkruar.
“Dëshmia tregon se, përkundër termave të tyre, një numër nga këto kontrata u ndërmorën për të siguruar përfitime të veçanta rregullatore dhe të tjera nga qeveria e Maqedonisë,” shprehet raporti i kompanisë.
Në pikëpamjen e prokurorëve amerikanë, kontratat kishin kuptimin e fshehjes së pagesave që ishin synuar si ryshfete.
Sipas dokumenteve gjyqësorë amerikanë, drejtuesit ekzekutivë i paguan afërsisht 4.9 milion Euro mes viteve 2005 dhe 2006 një kompanie të ndërmjetme me qendër në Qipro dhe degëve të saj. Kompania kontrollohej nga tre ndërmjetësuesit grekë.
Në atë kohë, Magyar Telekom-it dhe MakTel-it po u shkonin punët vaj në Maqedoni. Qeveria kishte vonuar futjen e një operatori të tretë mobil deri më 2007 dhe kishte zvogëluar pagesën e frekuencës vënë për MakTel-in.
Me fjalët e dokumenteve gjyqësore, “drejtuesit ekzekutivë të telekomit e dinin, ose ishin të ndërgjegjshëm, për gjasat e larta që ekzistonin që i gjithi ose një pjesë e fitimeve” të pagesave që kishin bërë ata “do t’u ofroheshin, jepeshin, premtoheshin, apo paguheshin, drejtpërdrejt ose tërthorazi, zyrtarëve qeveritarë maqedonas”.
Megjithatë, nuk ka dëshmi për të treguar se pagesat ranë në dorën e ndokujt në qeverinë maqedonase.
Dalja nga bursa
Në rastin që aktualisht po zhvillohet kundër tre drejtuesve ekzekutivë të Magyar Telekom-it, mbrojtja ka hedhë poshtë mëtimet për kontrata të paligjshme në Maqedoni, duke këmbëngulë që ato ishin të ligjshme dhe transparente.
Buçkovski e hedh poshtë sugjerimin që protokolli është i lidhur me pretendimet për ryshfet të bëra nga SEC-u.
“Kjo s’është korruptive,” i thotë ai BIRN-it. “Nuk e di se a dinë ndonjë gjë tjetër lidhur me pagesat.”
SEC-u nisi një hetim të Magyar Telekom-it më 2006, pasi kompania raportoi zbulimin fillestar të kontratave të dyshimta.
Më 19 nëntor 2007, Magyar Telekom festoi përvjetorin e 10-të të hyrjes në bursën e Nju Jorkut.
Tre vjet më vonë, më 12 nëntor 2010, kompania u çregjistrua nga bursa. Sipas faqes së internetit të kompanisë, e ndërmori këtë hap “me qëllim të zvogëlimit të ndërlikueshmërisë në raportimin financiar dhe kostove administrative”.
Magyar Telekom vazhdon të jetë partner i qeverisë maqedonase në pronësinë e një rrjeti mobil, që prej atëherë është riemërtuar T-Mobile. Të dyja palët vazhdojnë të marrin dividendë të konsiderueshëm nga sipërmarrja e tyre e përbashkët.
GORAN RIZAOV, BIRN Shkup, Podgoricë dhe Athinë











