Spektakli i pehlivanëve bëhet traditë te shqiptarët në Zvicër (FOTO) - tetova1.com

Spektakli i pehlivanëve bëhet traditë te shqiptarët në Zvicër (FOTO)


pelivanat e zvicres
Kategoria: Diaspora / Sport

Postuar më: Hën, Qer 2, 2014





Në një mot me vapë dhe me plot diell, te dielën që lamë pas në Weinfelden të kantonit të Thurgau u mbajt spektakli “Pehlivanët 2014”. Në ambient të hapur, në fushë të gjelbër, me një organizim të mirë dhe me një atmosferë shumë të gjallë shqiptare, kjo ditë nuk do të harrohet lehtë nga ata që kishin ardhur për të shikuar sektaklin.

Përpos Pehlivanëve që ofronin spektakël për shikuesit, aty, për ta ngrohur atmosferën edhe më shumë ishin valltarët e ansamblit të këngëve dhe valleve “Drita” nën udhëheqjen e Hajredin Gashit dhe grupi i valleve “Besa” me koreografin e njohur Rrustem Selca.

Përderisa Pehlivanët po prezantoheshin para publikut dhe po e lyenn trupin me vaj për tu përballur me kundërshtarin në mundje, organizatori i këtij tubimi tashmë tradicional në Zvicër dhe njëherësh imami i xhamisë në Kreuzlingen Rehan Neziri për albinfo jep hollësi te tjera rreth kësaj ngjarje.

“Ky është spektakli i 14-të me radhë që mbahet këtu në Weinfelden. E kanë filluar së pari disa shoqata turke pastaj është transferuar te pronari i mishtores “Ardival”, i cili e ka organizuar disa vjet me radhë. Sivjet organizatorë jemi ne, xhamia “Hëna e Re” nga Kreuzlingeni ndërsa sponsor kryesor e kemi firmën “Ardival”. Të ardhurat e këtij spektakli i dedikohen xhamisë ngase kemi nevojë për ta paguar borxhin e xhamisë si objekt që e kemi blerë.

Ndërkohë ne jemi duke menduar edhe për mundësitë tjera varësisht nga shuma që mblidhet, do të mendojmë që të ndihmojmë ndonjë student nevojtar për ndonjë bursë në vendlindje. Ndërsa për vitin e ardhshëm gjithashtu organizimi i këtij spektakli do të mbetet në dorë të xhamisë “Hëna e Re” ndërsa eventualisht përgjegjësinë tonë mund ta ndajmë me ndonjë shoqatë nga rrethi ynë, me ndonjë shoqatë artistike dhe kulturore sportive. Së bashku do të mendojmë për derdhjen e të ardhurave për vitin e ardhshëm eventualisht për ndonjë familje të dëshmorëve, familjet me jetim si dhe për student” tha Neziri, duke shprehur po ashtu kënaqësinë e tij për numrin e pjesëmarrësve të publikut në këtë spektakël.

Përveç pehlivanëve shqiptarë që ishin nga Maqedonia, aty për mundje kishin ardhur edhe pehlivanë të tjerë nga vendet si Turqia e Bullgaria por nuk munguan as pehlivanët nga Zvicra, që ishin që të dy shqiptarë.

Organizimi i garave të mundjes ishte bërë në tri kategori. Pasi që ne shqiptarët për sportet luftarake jemi mjaft të zot, në të tri kategoritë finalen e fituan garuesit shqiptarë, që të tre nga Maqedonia. Në kategorinë e tretë fitoi Samir Ibrahimi, në kategorinë e dytë Ramazan Baki, kurse në kategorinë e parë finalen e fitoi Xhezair Latifi.
Pehlivani tjetër Betim Ramadani nga Shkupi që mori pjesë në këtë garë të mundjes për albinfo thotë se ishte një garë e mirë dhe e organizuar shumë mirë.

“Jam pehlivan i grupit të mundjes “Liria” nga Shkupi, dhe për këtë organizim këtu në Zvicër kam ardhur ekstra nga Shkupi. Organizimi është shumë i mirë dhe shpresoj që edhe vitet e ardhshme do të jetë kështu. Kjo është hera e dytë që marr pjesë këtu dhe jam shumë i kënaqur me organizimin këtu saqë nuk dallon fare nga organizimet e tilla që mbahen atje vendlindje” tha pehlivani Ramadani

Shikuesit i kishin mbushur shkallet e stadiumit të njërës anë si dhe në fushë ishin afruar shumë të tjerë që të shikonin këtë sport tradicional tek shqiptarët.
Mirsad Haxhiu ishte ulur aty pranë dhe në një disponim të mirë përcillte dyluftimin e pehlivanëve.

“Unë këtë sport e kam në gjak, edhe pse nuk merrem me të, unë e përcjelli shumë këtë sepse edhe dajën e kam pas pehlivan. çmimi i hyrjes mu duk pak i shtrenjtë mirëpo prapë ia vlen sepse thjesht po kënaqesh” tha Mirsadi që kishte ardhur së bashku me babën dhe motrën e tij.

Sporti i mundjes është një ndër sportet më të lashta të historisë së njeriut. Tek ne në trojet shqiptare ky sport është shumë i lashtë dhe edhe në ditët e sotme mundja bëhet edhe nëpër organizime dhe ahengje të ndryshme.

Pehlivanët e lyejnë trupin me vaj, dhe kryesisht organizohet ne ambient të hapur në natyrë në fusha të gjelbra ku kundërshtari vetvetiu e pranon humbjen kurse në disiplinën sportive disfatën e gjykon gjyqtari.

Zakonisht ky sport tek ne përcillet me tupan dhe surle ku së pari pehlivanët e bëjnë një lojë karakteristike për sportin e tyre e pastaj hynë në dyluftim. Simboli i thjeshtë i disiplinës së mundjes, janë dy figura që në përleshje e sipër ku njëri tenton të kapë tjetrin nga beli, ndërsa tjetri të i kapë këmbët e tij. Vetë kjo dukuri, e pranishme si në malësi si në trojet tjera e bën që mundja të jetë disiplinë sportive tradicionale ndër shqiptarët.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net