Një histori e rrallë suksesi e “Nd Group” në Dyseldorf
|
Klubi i Biznesit në Dyseldorf, investitor i të cilit është familja shqiptare Destani nga Tetova, tashmë i vendosur në një hapësirë të gjerë brenda ndërtesës ku është edhe selia e Holdingut ND Group, është pikërisht në zonën më të frekuentuar të prominencës ekonomike, politike dhe kulturore të këtij metropoli gjerman. Në botën shqiptare sot dendur përmendet suksesi i familjes Destani nga Tetova në fushën e biznesit. Por, edhe në një shtet europian, aty ku i ka rrënjët ky biznes, pra në Gjermani, familja Destani po e zgjeron respektin duke u bërë jo vetëm pjesë e integrimeve ekonomike në kontinentin e vjetër, por edhe duke u bërë pjesë e zhvillimit të tij.
Këtë e dëshmoi këto ditë edhe promovimi i Klubit të Biznesit në Dyseldorf të Gjermanisë, ku familja Destani bëhët pronare kryesore e këtij asociacioni të rëndësishëm ekonomik, e që mision ka rrjetëzimin e bizneseve më të rëndësishme gjermane dhe europiane.
Në lokalet e Klubit të Biznesit në Dyseldorf (në origjinal Wirtschaftsclub Düsseldorf, WCD), me rastin e hapjes, në rrugën kryesore të bizneseve të Dyseldorfit, aty ku e ka selinë edhe biznesi i Destanëve, kishin vërshuar figurat më eminente të ekonomisë gjermane, të shoqëruara nga politikanë, artistë dhe punonjës të fushave të ndryshme të elitës gjermane.





