Dënimi maksimal i ‘Monstrës’ i ‘vrau’ të gjithë shqiptarët, pos Ahmetit e Thaçit
Emad Mehmeti
Sot, gjashtë persona të akuzuar në rastin “Monstra” janë dënuar me burg të përjetshëm, kurse vetëm njëri prej tyre nuk ka marrë burg të përjetshëm është vendimi i gjykatës lidhur me këtë rast.
Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm nën akuzën se kanë kryer vrasjen e pesëfishtë që ndodhi më 12 prill të vitit 2012, afër liqenit të Smilkovcit. Ata janë dënuar për veprën më të rëndë, “terrorizëm.Vetëm i akuzuari Rami Sejdiu është liruar nga akuza dhe i është ndërprerë paraburgimi.
Në secilin shtet normal, te paktën qoftë edhe një çik që i afrohet normalitetit, duhet që kur e jep fjalën e fundit drejtësia, me dënim e aktgjykim, t’i paraqesë të gjitha faktet të cilat bindin, se përse dënohen autorët e krimeve. Rrjedhimisht, përse atyre u hiqet liria, dhe opinioni ta ketë tërësisht të qartë se pse ata nuk mund të jetojnë më ëndrrën e tyre.
Prokurorja publike Gordana Geshkovska tha se gjykata duhet ti dënojë të akuzuarit me dënime maksimale, që të kënaqet drejtësia. Ajo në fjalën e fundit rreth një muaji më parë, më shumë foli për motivin që kanë pas të akuzuarit për të bërë vrasjen, sesa për provat që lidhin të akuzuarit me veprën. Geshovska tha se data dhe 5 të rinjtë e vrarë nuk janë zgjedhur rastësisht.
“Porosia është: Qëllojmë të enjten e madhe që tua përgjakim pashkët – përfundimi që tua zhdukim fenë. Qëllojmë mbi djem të rinj që tua zhdukim kombin – përfundimi qëllojmë mbi të ardhmen e shtetit. A nuk mjafton kjo për motivet e veprës penale dhe qëllimin për të shkaktar frikë dhe jo siguri tek qytetarët”, tha Geshovska në fjalën e saj përfundimtare.
Ky fjalim i Geshkovës e tejkalon fashizmin, është më shumë se primitiv. Sepse sipas saj, vrasësit që nga Ministrja e VMRO – BDI, Jankullovskës u cilësuan si ‘radikal islamik’, e që në përkthim e realitet dolën të jenë shqiptarë, duan të zhdukin fe e komb. Kur dihet tradicionalisht se shqiptarët në trojet e tyre, gjithnjë janë treguar zemërgjerë, përderisa agresorë janë treguar fqinjët e tyre, në disa raste edhe çnjerëzor me pretendimet e tyre të marra.
Edhe vet Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari sot ka shprehur një dozë dyshimi mbi provat jo të forta në rastin Monstra, duke deklaruar se organet gjyqësore duhet të dëshmojnë kapacitet dhe në asnjë rast të mos dënojnë qytetarë të pafajshëm po qe se nuk ekzistojnë prova të besueshme.
Do thoni se drejtësia nuk përzihet me politikë, po ashtu është, mirëpo nëse do jetonim në shtetet e zhvilluara, e jo në Ballkan. Ku në shumë shtete si edhe Maqedonia pushteti ndahet në: Legjislativ, Ekzekutiv dhe Gjyqësor, ndërsa te ne në shumë raste është treguar se kjo ndarje bëhet kështu; Ekzekutiv-Ndërmjetës-Ekzekutiv. Ndërkohë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti thuajse është përfaqësues i ndonjë organizate joqeveritare, pasi që çdo i huaj që vizitonte së fundmi atë, ai u ankohej për procesin Monstër. Kështu, duke harruar se ai është në Qeverinë e Gruevskit, dhe atje duhet të kërkoj përgjegjësi për çdo rast, pasi bile edhe si zv/Ministër të MPB ka kuadrin e vet, Zemri Qamilin, i cili për çdo gjë mund ta informoj në kohë. Por, Ahmeti i ‘punëve’ të mëdha ‘U tha u bë’, ai duket se nuk ka kohë të merret me këto raste për të cilat nuk thotë gjë, që ‘vranë’ sot po thuajse të gjitha zemrat shqiptare në Maqedoni, nga shkaku se deri më tani asnjë fakt bindës nuk u paraqit si dëshmi e fortë, për t’i dënuar ata me burgim të përjetshëm. Nëse do të ishte e kundërta, duke bindur opinionin se këta që u dënuan janë fajtorët e vrasjes së pesëfishtë të Smillkovcit, nuk do kishte shqiptar në botë, që do arsyeton këtë akt të tmerrshëm e çnjërozor, ku mbetën të vrarë disa të rinjë maqedonas, duke thyer shpresat e tyre në mes, e duke lënë pas familjarët e pezmatuar.
Ndërkaq, Menduh Thaçi i PDSH-së, ai nuk është në pozitë është në opozitë, dhe të gjithë thonë se s’ka pse merresh me Thaçin kur s’është pjesë e Qeverisë, Gruevski. Por, harrojnë të shpjegojnë se s’i nuk është pjesë e kësaj Qeverie, kur mediet flasin për takimet e Thaçit me Shefin e Policisë Sekrete në Maqedoni, Sasho Mijallkovin?! Pse lideri i PDSH, për këto raste si të ‘Monstrës’ nuk e thotë qoftë edhe një fjalë të vetme. Apo, mos ndoshta e ndjen veten fajtor, sepse gjatë protestave madhështore në Shkup për Monstrën, ai u tha atëherë aktivistëve të tij: Mos dilni në protesta. E cila opozitë në botë do e bënte këtë gafë të tij, që u kushton shqiptarëve me pasiguri! Por, mos habiteni, se mbase ai e ka të ‘zënë që moti bishtin për dere’.
Përderisa çdo ditë e më shumë mbytemi në llumin që na zhysin politikanët të cilët nuk shohin mirë realitetin, pasi kanë xhipat dhe veturat me xhama të zi, ne një ditë ndoshta do arrijmë të kuptojmë se për shumë gjëra është faji tek ne, populli. Pse te ne do thoni? Është shumë e thjesht, me vendimin e sotëm gjyqësor për rartin “Monstër”, të gjithë i janë sulur BDI-së e Ali Ahmetit, duke ‘zhbrazur barkun’, por edhe nesër nëse janë zgjedhjet, sërish do ndodh ajo që pamë në zgjedhjet e fundit: disa me miell, disa me punë, disa me kërcënime, e disa duke ‘rënë’ te premtimet, prapë do e votojnë këtë Qeveri BDI-VMRO, e cila ndër të tjera na solli shumë raste të shëmtuara, por që sërish shpërblehet nga këta votues, që sot të shajnë, e nesër të votojnë. Po, ku mbeti vallë fytyra jonë e vërtetë?









