Protestat duhet të mbahen në sheshin e Shkupit
|
Protesta e së premtes ku mijëra qytetarë arritën të përmbahen dhe të protestojnë qetë para kordonit policor, përcolli një mesazh të fortë, tregoi se shqiptarët dinë të kërkojnë drejtësi në mënyre të qetë dhe demokratike, edhe pse para tyre kishin policë të armatosur deri në dhëmbë.
Megjithatë ka ardhur koha që pas protestave që po organizohen në Shkup të ketë organizator dhe ato të organizohen në sheshin qendror të Shkupit, aty ku gjithnjë është protestuar e jo te kompleksi Çairçanja, pasi i gjithë Shkupi është i shqiptarëve.
Analisti Afrim Gashi thotë për “Lajm” se shqiptarët e sidomos shqiptarët e Shkupit duhet të protestojnë në sheshin qendror të Shkupit - Sheshin Maqedonia ashtu siç ka ndodh edhe në të kaluarën.
“Jam i mendimit se shqiptarët e Maqedonisë nuk e kanë të zhvilluar sa duhet kulturën e protestës andaj edhe kohëve të fundit po na ndodh të kemi protesta masive pa asnjë organizatorë. Në situata të tilla kur mbledhja e njerëzve është spontane ndodhë që edhe vendi i takimit apo i mbledhjes së protestuesve të jetë spontan, thjeshtë duke u nisur nga parimi se ku do të mund të mblidheshim më shumë e më lehtë. Përndryshe, mendoj se shqiptarët e Maqedonisë e sidomos ata të Shkupit kur mblidhen në protesta më masive, duhet të protestojnë te sheshi qendror i Shkupit ‘Maqedonia’ siç edhe ka ndodhur në të kaluarën”, thotë Gashi. Ai sqaron se si rezultat i politikave getoizuese të partive politike shqiptare, shqiptarët kanë filluar ta humbin përkatësinë e tyre me këtë shesh dhe jo që nuk organizojnë protesta aty, por kohëve të fundit shumë rrallë edhe frekuentohet nga vizitorët e zakonshëm duke e konsideruar si vend i cili u takon maqedonasve, ndaj sipas kësaj logjike gjithsesi të gabuar por të imponuar nga politike maqedonase ndërsa e pranuar me lehtësi nga ajo shqiptare, ne s’kemi çka kërkojmë aty.
“Kjo bindje dhe ky perceptim duhet të ndryshojë medoemos, sepse Shkupi ka qenë gjithnjë një nga qendrat më të mëdha administrative, kulturore e politike të kombit shqiptar andaj të gjithë ne duhet të kontribuojmë që ta rikthejmë këtë identifikim me secilën pjesë të Shkupit duke e ndjerë si pjesë që na takon edhe ne. Rrjedhimisht, edhe protestat duhet të fillojnë e të mbahen aty që të dëshmojmë prezencën tonë dhe për të përçuar mesazhin se nëse politikanët pa vizion e kanë ‘shitur’ Shkupin, shumica e shqiptarëve nuk janë në gjendje ta lëshojnë këtë vend për asnjë çmim të kësaj bote”, thekson Gashi.
Ndërsa sipas analistit Kim Mehmeti nuk ka shumë rëndësi vendi se ku protestohet, e rëndësishme është që pas protestës të qëndrojnë një organizator.
“Protestuesit duhet të kenë organizatorë të ditur, duhet të kenë adresë të saktë kush I organizon dhe adresë të saktë se cili është qëllimi i tyre. Kjo duhet të bëhet që të mbrohen ata të rinj dhe të mos mund ti instrumentalizojë askush. Organizimi do të thotë të dish, nga nisen, ku shkojnë dhe kur kthehen”, thotë Mehmeti për “Lajm”.
Ndërsa analisti nga Tirana Aleksandër Çipa në një opinion të tijin rreth protestave, të cilin të plotë mund ta lexoni në rubrikën opinione të “Lajmit” pyet nëse do të lindë kjo lëvizje dhe ky ndërgjegjësim të rinjsh dhe qytetarësh shqiptarë, prijës të rinj e përfaqësim të ri?
“Këtë dilemë apo kureshtje ditët e fundit po e ngrenë qëllimisht si çështje të parë disa intelektualë dhe zëra publikë ndër shqiptarët e Maqedonisë. Në politologji thuhet se prijësit lindin dhe dalin prej lëvizjeve ndryshuese ose edhe prej rotacionit zgjedhor në subjektet politike. Aty ku ngjet ndryshimi, shfaqet e fitohet edhe prijësi i ri. Në raport me protestat e shqiptarëve këto ditë në Maqedoni, çështja e parë nuk është lindja e prijësve të rinj politikë. Thelbi është i lidhur me nevojën për të fituar të gjithë qytetarët shqiptarë statusin e shtetasve të barabartë. Të iket prej partneritetit në një kuotë më të cilësishme, atë të paritetit dhe reciprocitetit, të shuhet keqbindja maqedonase se shqiptarët, sipas tyre ‘si pakicë’ janë në fat minoritarësh”, shkruan ai.
“Të rrënjoset bindja prosperuese se barazia ekonomike dhe sociale ndër shtetas të etnive të ndryshme, çimenton demokracinë dhe mishëron shtetin e së drejtës në shërbim të qytetarit pa dallim. Të respektohet dhe investohet për arsimin dhe kulturën e shtetasve shqiptarë jo sipas formulës dhe platformës së vitit 2001, por sipas platformës së një diskriminimi pozitiv që imponon standardi i kërkuar europian, në ditët dhe kohën e 2014-s. Kjo platformë e re me tekst kërkesash të vjetra, kësaj here nuk ka lidhje me sjelljen dhe trajtimin e vjetër. Prej këtij gabimi nevojitet të mërgojë i pari Ali Ahmeti dhe gjithë pjesa e shqiptarëve të përfshirë në politikë apo në përfaqësimin institucional të Maqedonisë. Kjo nuk është kërkesë e protestuesve, ky është imperativ jetik për të. Fjala është për ta zëvendësuar sjelljen dhe mandatin politik jo për demagogji dhe oportunizëm dëmsjellës, por me një kulturë dhe ndërgjegje realpolitike në favor dhe dobi të bashkëkombësve -shtetas të tu”, shkruan Çipa.
Protestuesit kanë paralajmëruar se nuk do ti ndërpresin protestat derisa të realizohen kërkesat e tyre. Në mbështetje të protestuesve në Shkup kanë dalë gjithë shqiptarët. Protesta për drejtësi janë organizuar në të gjitha qytetet ku jetojnë shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në Evropë e Amerikë. Protesta e radhës do të jetë të premten.









