Incidenti, Demiri: Urrejtja shpërtheu në grushte - tetova1.com

Incidenti, Demiri: Urrejtja shpërtheu në grushte


01
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Sun, Aug 31, 2014





Incidenti në Kuvend mes deputetëve shqiptarë ngërthen në vete mënyrën e politik-bërjes në Maqedoni, në veçanti tek partitë politike shqiptare. Kështu vlerëson analisti Alajdin Demiri. Faji për këtë incident sipas tij duhet kërkuar tek substanca politike të cilën si BDI-ja por edhe PDSH-ja ka nisur ta kërkojnë tek urrejtja, dhe tentimi për të zhdukur nga skena politike partinë kundërshtare.
“Kjo rrahje është vazhdim i një vokabulari që gjatë kohë është duke u aplikuar në skenën politike, vokabulari i urrejtjes, vokabulari i sharjeve, vokabulari i ofendimeve dhe kështu me radhë. Gjithë kjo për arsye se nuk kanë si të bëjnë politikë se nuk ndodhi rrahja për një objektiv politik, për një platformë politike, për një vendim politik etj, por ndodhi si rrugaçëri e urrejtjes. Unë mendoj se këtu gjendet problemi. Politikë-bërja në Maqedoni tek partitë politike shqiptare është bërë urrejtja, është bërë ofendimi dhe gjithë kjo rezulton me rrahje”, u shpreh Alajdin Demiri, analist politik.
Arsyetimin e kreut të PDSH-së lidhur me incidentin në parlament analisti Demiri e sheh si akt të ulët dhe të dështuar. Ndërkohë rikujtoi se edhe partia në pushtet BDI-ja dështimet e saja tenton ti mbulojë përmes mbjelljes së urrejtjes dhe krijimit të armiqësive mes rivalëve politik.
“Klima politike është zëvendësuar me urrejtje dhe ofendim. Nuk bëhet politikë, nuk debatohet për platformë, nuk debatohet për program. Nuk debatohet për objektiva politike, por debatohet grupi i cili do të jetë më afër liderit. A më afër liderit do të jenë ata të cilët janë më të eksponuar në këtë drejtim në ofendime por edhe rrahje tashmë, gjithë kjo e tregon atë klimë të politik-bërjes dhe politikës dhe mënyrës se si udhëhiqet partia. Por kjo nuk është vetëm specifikë e PDSH-së e njëjta ndodh edhe tek partia tjetër edhe ajo e pranoi këtë rrugë dhe këtë metodë për arsye se inferioriteti i tyre që kur janë në pushtet duhet të zbatojnë projekte politike ata nuk munden edhe e zëvendësojnë temën me urrejtje dhe armiqësi ndaj rivalit”, deklaroi Alajdin Demiri, analist politik.
Pas incidentit mes deputetëve, PDSH-ja vendosi përkohësisht që të bojkotojë punimet e Kuvendit, ndërsa nuk përjashtojnë mundësinë që të marrin një vendim për bojkot të plotë të Kuvendit. Kreu i PDSH-së Thaçi doli në mbrojtje të deputetit Orhan Ibrahimi duke thënë se ai me veprimin e tij ka mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve. BDI-ja ndërkohë i ofroi PDSH-së pajtimin dhe zgjidhjen e problemeve përmes dialogut politik. Nga BDI-ja thanë se deklarata e Thaçit në mbrojtje të deputetit Ibrahimi është përpjekje për t’ia hedhur fajin të tjerëve për incidentin në Kuvend. Valmir Kuçi

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net