Kosova investon në Maqedoni
Zgjerohet interesimi i biznesit kosovar për të investuar në Maqedoni në fusha të ndryshme si hoteleri, prodhimin e ushqimit, mobilieve e ndërtimtarisë .Kjo dëshmohet edhe nga informacionet e institucioneve relevante financiare kosovare. “Afaristët kosovar kanë investuar mbi pesë milion euro jashtë Kosovës në tre muajt e parë të këtij viti. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, këto investime kryesisht janë realizuar në Maqedoni dhe Shqipëri dhe më pak në Gjermani, Zvicër dhe Holandë me fokus në pasuri të patundshme, turizëm dhe ndërtimtari”, shkruan gazeta Kosova Sot. “Investimet kosovare jashtë vendit në vitin e kaluar kanë qenë 17.9 milion euro, ndërsa në tre muajt e parë të këtij viti ato kanë arritur në 5.2 milion euro. Njëherazi, për tremujorin e dytë të këtij viti akoma nuk janë përgatitur përllogaritjet statistikore”, thotë Besnik Kada , përgjegjës për marrëdhënie me publikun në Bankën Qendrore të Kosovës. Rritjen e interesimit të afaristëve kosovar për të interesuar në Maqedoni e konfirmojnë edhe kompanitë nga Maqedonia që punojnë dhe veprojnë në tërë Ballkanin. Kompani të mëdha serioze kosovare planifikojnë të zgjerojnë punën e tyre krahas Maqedonisë edhe në Bullgari dhe Serbi, thotë pronari i kompanisë “Dauti Komerc”, Xhemali Dauti .”Mund të presim rritjen e investimeve kosovare në Maqedoni pasi ekziston interesim i madh nga kompani nga Kosova për të investuar në degë të ndryshme ekonomike si hoteleri, prodhimin e ushqimit, mobilieve e ndërtimtarisë. Kompania “Elkos” do të ndërtojë një qendër të saj tregtare në Shtip, ndërsa do të investojë edhe në Shkup, Tetovë dhe Strugë. Interesim ekziston edhe prej kompanive të tjera si “Devolli”, “Mabeteks”, “Gacaferri” andaj edhe mund të presim që të realizohen edhe investimet e tyre në Maqedoni. Motivi kryesor për investimet e këtyre kompanive janë zgjerimi i bizneseve në tregje të reja pasi shënohet ngopje me punën e tyre në tregun e Kosovës”, thekson Dauti që një pjesë të madhe të veprimtarisë së saj e ushtron edhe në Kosovë. Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se viteve të fundit një pjesë e caktuar e afaristëve dhe personaliteteve të shquara në fusha të ndryshme nga Kosova, kanë blerë banesa në Shkup. Gjithashtu, ndërtimi i autostradës mes Shqipërisë dhe Kosovës ka rritur interesimin për blerjen e patundshmërive të kosovarëve në Shqipëri. Në periudhën 2008-2010 janë investuar 33 milion euro nga Kosova në Shqipëri, kryesisht në tregun e patundshmërive, tregojnë analizat e Bankës Qendrore të Kosovës. Ndërkohë, një nga kompanitë më të mëdha të Kosovës “Elkos” planifikon që deri në vitin 2018 të rrisë qarkullimin në mbi 1 miliardë euro dhe është duke u zgjeruar në tërë rajonin.Kjo kompani është e fokusuar në grumbullimin e pemë-perimeve në tërë Shqipërinë. Ndryshe, Maqedonia me 251 milionë euro investime të huaja vitin e kaluar radhitet në vendin e fundit krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Ekonomike në Vjenë, më shumë investime të huaja se Maqedonia ka shënuar edhe Kosova me 259 milionë euro. Ndërsa, sa i përket vendeve të tjera të rajonit, Shqipëria prinë me investime të huaja të cilat arrijnë në 923 milionë euro, pastaj vjen Serbia me 779 milionë euro, Mali i Zi me 337 milionë euro dhe Bosnja e Hercegovina me 300 milionë euro.









