Ahmeti: Ardhmëria e Maqedonisë varet nga raportet maqedono-shqiptare - tetova1.com

Ahmeti: Ardhmëria e Maqedonisë varet nga raportet maqedono-shqiptare


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Wed, Sep 3, 2014





Ardhmëria e Maqedonisë varet nga raportet mes maqedonasve dhe shqiptarëve kurse anëtarësimi i vendit në NATO është në dobi të paqes dhe stabilitetit. Kështu është shprehur lideri i BDI-së Ali Ahmeti, para përfaqësuesit të qeverisë gjermane për Ballkanin Ernst Reichel, gjatë takimit që zhvilloi në Tetovë.

“Në qendër të vëmendjes ishin edhe raportet ndëretnike në vend, si një çështje mjaft e rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në vendin tonë. Me këtë rast i premtova drejtorit që intensivisht ne punojmë që këto raporte të avancohen edhe më tej sepse ardhmëria e këtij vendi varet nga ndërtimi i raporteve mes shqiptarëve dhe maqedonasve, tha lideri I BDI-së, Ali Ahmeti.

Zyrtari gjerman po qëndron në Maqedoni vetëm disa ditë pas Samitit për Ballkanin që u zhvillua në Berlin. Me autoritetet vendore, krahas raporteve ndëretnike ai ka biseduar edhe për një çështje tjetër të rëndësishme për Maqedoninë siç është zgjidhja e çështjes së emrit.

“Në një konferencë aq të madhe nuk mundet intensivisht të bisedohet vetëm për vendin tuaj dhe për këtë shkak jam këtu. Gjatë takimeve që pata në Shkup dhe Tetovë u diskutuan tri tema të rëndësishme, marrëdhëniet ndëretnike, afrimi i vendit tuaj me BE-në, si dhe çështja e emrit. Edhe në Shkup edhe në Tetovë patëm bisedime të sinqerta dhe intensive në këto tema të cilat u zhvilluan në frymë miqësore”, tha Ernst Reichel, përfaqësues i qeverisë gjermane për Ballkanin .

Para zyrtarit gjerman, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, tha se për të mbetet prioritet zgjidhja e çështjes së emrit, ndërsa e njoftoi atë edhe për angazhimin e partisë së tij si pjesë e qeverisë së Shkupit, për tejkalimin e këtij kontesti shumë vjeçar me Greqinë.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net