PDSH: Rebalanci i buxhetit antishqiptar
|
Partia Demokratike Shqiptare ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim se me rebalancin e buxhetit legalizohen vjedhjet e hises shqiptare në buxhetin e shtetit. Deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu gjatë një pres konference me gazetarë tha se kësaj partie i është pamundësuar që në parlament dhe para opinionin të paraqesë problemet elementare infrastruktorore ku jetojnë shqiptarët.“Neve si grup parlamentar i PDSH-së e vetmja opozitë shqiptare me një skenar paraprakisht të përgatitur nga Ali Ahmeti e BDI, nga pozicioni i partisë në pushtet na u pamundësua që në parlament dhe para opinionit të paraqesim problemet elementare infrastrukturore dhe problemet tjera shoqërore në vendbanimet ku jetojnë shqiptarët. Me paret e taksapaguesve shqiptar vazhdojnë të ndërtohen projekte ekskluzive maqedonase si: “Skopje 2014”, “Makedonsko Selo”, në kulturën maqedonase, infrastrukturë dhe projekte luksoze në vendbanimet e pastra maqedonase, e shqiptaret në lloç e baltë, me spitale të rrënuara e pa shkolla, pa rrugë, pa ujë për pije, pa investime në kulturën e sportin shqiptar. Me një fjalë, deri sa është në pushtet BDI në 11 buxhete dhe 11 rebalanca vidhen paret e shqiptarëve dhe investohen të maqedonasit”, deklaroi Fazliu.Ai më tej tha se amendamentet që i parashtruam ne ishin për investime për shqiptarët, por të gjitha u hodhën poshtë nga BDI.“Ky është çmimi që paguajnë shqiptarët për servilizmin e BDI-së ndaj VMRO-DPMNE-së. Këta të BDI-së nuk kanë probleme se shqiptarët jetojnë keq e ma keq, sepse të zhytur në korrupsion, hajni e krim të organizuar bëjnë jetë luksoze. 236 amendamente që i parashtruam ne ishin për investime për shqiptarët, por të gjitha u hodhën poshtë nga BDI. Te jesh kundër investimeve në vendbanimet shqiptare e në anën tjetër të krekosesh se ke vullnetin e shqiptareve është një pafytyrësi klasike politike. I kanë vota klienteliste, sepse BDI në qeveri nga dita më ditë ua vështirëson jetën shqiptarëve. PDSH nuk do të mund ta heshtni, as sot, po as nesër”, tha deputeti Fazliu.










