Maqedonia në nivel ministrash në Samitin e NATO-s, Rama mes liderëve botëror
|
Autoritetet shtetërore të Maqedonisë në Samitin e NATO-s, në Kardif të Uelsit janë në nivel të ministrave, ndërsa nuk sqarohet se pse nuk udhëtuan kryeministri Gruevski apo presidenti Ivanov.
Në këtë ngjarje të rëndësishme kanë udhëtuar vetëm ministrat e Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Zoran Jolevski dhe Nikola Poposki.
Nga Qeveria dhe presidenca nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për mosshkuarjen e Gruevskit dhe presidentit Ivanov. Por siç bëhet e ditur, ministri i mbrojtjes Jolevski do të mbajë fjalim në takim me ministrat e mbrojtjes kushtuar Platformës për interoperativitet, ndërsa janë parashikuar edhe disa takime bilaterale me kolegët e tij nga vendet anëtare të Aleancës.
Ministri Poposki në kuadër të Samitit do të marrë pjesë në sesionin përkushtuar angazhimit të Aleancës në Afganistan (ISAF format) në nivel të shefave të delegacioneve nga të gjtiha vendet anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere.
Në samit do të organizohet edhe sesion i veçantë në nivel të ministrave të Punëve të Jashtme dhe vendeve anëtare të NATO-s me katër kandidatët për anëtarësim – Republika e Maqedonisë, Mali i zi, Bosnja e Hercegovina dhe Gjeorgjia.
Ministri i jashtëm Nikola Popovski kërkoi mbështetje edhe për vendin e tij, pasi që si[ tha është kontribues në misionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sundimin e së drejtës.
Raportet midis Perëndimit dhe Rusisë si dhe kërcënimi nga xhihadizmi janë dy temat kryesore në fokusin e këtij Samiti. Samiti nisi me një minutë heshtje në nderim të ushtarëve të rënë të Aleancës në Afganistan.
Delegacioni shqiptar në samitin e NATO-s në Uells të Britanisë kryesohet nga shefi i qeverisë, Edi Rama dhe në përbërje të tij janë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Samiti, ku marrin pjesë delegacionet e nivelit të lartë të 28 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, u hap nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmussen, i cili nënvizoi se ky Samit do t’i shërbejë forcimit të partneritetit të Aleancës në përballje me sfidat e përbashkëta të sigurisë.
Udhëheqësit botërorë, të mbledhur në Uells të Britanisë, po diskutojnë për rrezikun e grupit Shteti Islamik, Afganistanin dhe krizën mes Ukrainës dhe Rusisë.
Si reagim ndaj atij që shihet gjerësisht si agresion rus, ata pritet të ndërmarrin hapa energjike për formimin e një force ushtarake të ndërhyrjes së shpejtë, që të mund të dislokohet me shpejtësi në zona të caktuara në Evropën Lindore.
Takimi i sotëm filloi me një ceremoni për të nderuar forcat e armatosura të të gjitha vendeve pjesëmarrëse në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë që kanë luftuar në Afganistan. David Cameron, kryeministri i vendit mikpritës i përmblodhi sfidat madhore globale në komentet e tij në fillim të konferencës:
“Trupat ruse janë ilegalisht në Ukrainë. Kërcënimi ekstremist islamist, është ringritur në një formë të re në Irak dhe Siri. Këto janë vetëm dy nga kërcënimet me të cilat ne përballemi. NATO-ja është spiranca e sigurisë sonë dhe gjatë këtyre dy ditëve, ne duhet ta rigjallërojmë dhe rifokusojmë aleancën për të përballuar rreziqet e reja dhe për t’u siguruar që ajo do të vazhdojë të garantojë stabilitetin në gjithë botën,” tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, para takimin e akuzoi Rusinë se po sulmon Ukrainën.















