Maqedonia, 23 vjet shtet i pavarur, cila është dhe ku po shkon?
|
Maqedonia e pavarur para 23 viteve ishte një hap për respekt, kurse sot për t’i rishqyrtuar gabimet, shanset e lëshuara dhe për reforma të thella për dalje nga stganacioni. 23 vite ose gati një çerekshekulli pavarësi, është periudhë e mjaftueshme për cilindo vend që ta trasojë rrugën e zhvillimit dhe të sigurojë vend respektabil në hartën e botës.
Tani, kur pavarësia është kategori relative në një botë ku të gjithë janë të varur nga bashkëpunimi, lidhshmëria, integrimi dhe globalizimi i pandalshëm, me çfarë rezultate mund të krenohet dhe të identifikohet Republika e Maqedonisë? Prej se është e pavarur ajo dhe prej çka varet është pyetja që e ka parashtruar DW për përesonalitete të njohura.
“Për të qenë një vend i pavarur ekonomikisht, duhet të ketë ekonomi të madhe ose resurse të mëdha natyrore, naftë, gas dhe të ngjashme. Me 8 shtator 1991, Maqedonia e fitoi pavarësinë politike, por në disa aspekte do të mbetet ekonomikisht e varur”, tha eksperti ekonomik Zoran Jovanovski.
Maqedonia edhe 23 vite pas pavarësisë ka 30% të popullatës të varfër, 28% të papunë dhe me Borxh publik të qeverisë prej 3.3 miliardë euro ose 40.8% nga BPV-ja.
Nëse këtij borxhi i shtohen edhe borxhet e Bankës Popullore, të komunave dhe të institucioneve tjera, atëherë borxhi i Maqedonisë është rreth 50% nga BPV-ja.
Por qeveria ka edhe një borxh më të madh, ta realizojnë premtimin e dhënë para qytetarëve se do ta integrojnë vendin në BE dhe NATO.
“Pavarësia ishte fitore e madhe për Maqedoninë, ajo u vizatua në hartën e botës dhe e fitoi respektin e merituar. Por, qëllimet strategjike që i vendosi atëherë për integrim eeuro-atlantike, deri më sot ende nuk janë plotësuar. Përparimi i Maqedonisë sot vlen nga zgjidhja e dy problemeve, njëri është i brendshëm (demokracinë) dhe tjetri është i jashtëm (me fqinjët)”, tha për DW, Denko Malevski, transmeton “Zhurnal”.















