“Voglushja e BDI-së”: Nuk u përkulëm, por nderuam heronjtë maqedonas
|
Zyrtarët e lartë të BDI-së, konkretisht ministri i Ekonomisë Bekim Neziri dhe deputetja Kaltrina Azizi, sot janë vënë në qendër të sulmeve të disa portaleve opozitare për praninë e tyre në ceremoninë e nderimeve të heronjve maqedonas me rastin e 8 Shtatorit, ditës së pavarësisë së Republikës së Maqedonisë.
Portalet opozitare akuzuan zyrtarët e BDI-së se janë ‘përkulur’ para heronjve maqedonas, vetëm disa ditë pasi urdhëruan heqjen e flamujve maqedonas nga pllakata përkujtimore e Nënë Terezës në Shkup.
Ka qenë i menjëhershëm reagimi i deputetes Azizi, e cila etiketohej më së shumti në shkrimet tendencioze të portaleve opozitare, e cila në një koment në rrjetin social Facebook, lidhur me pjesëmarrjen në ceremoninë e sotshme, mes tjerash shprehet:
“Pjesëmarrja ime konsistoi me nderime dhe jo me përkulje, me që unë i përkulem vetëm Zotit” , thotë deputetja Azizi.
Më tej, ajo citon se pjesëmarrja e saj në këtë ceremoni përkon me faktin se ky shtet në mënyrë të barabartë ju përket të gjithëve që jetojnë këtu.
“Posaçërisht, ku ne shqiptarët jemi popull autokton dhe shtetformues” , shprehet deputetja integriste Azizi. (yllpress.com)










