Partia e re, gati të dalë në shesh - tetova1.com

Partia e re, gati të dalë në shesh


parti shqiptare
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Wed, Sep 10, 2014





Themelimin e një subjekti të ri politik tashmë është duke u trajtuar si një çështje e kryer. Një alternativë e tretë politike është cilësuar si dalje nga sqetullat e dy partive të mëdha në kampin politik shqiptar.

Është përfolur mundësia që bartës i kësaj nisme të jetë kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela, i cili ka nisur të ashtuquajturën fushatë për reformimin e PDSH-së. Gjithashtu, komentohet mundësia që prapa formimit të partisë së re të qëndrojnë persona të afërt me partinë e presidentit turk Rexhep taip Erdogan.

Duhet definitivisht të përkrahet një lëvizje ose një strukturë e re politike. Këtë e thotë me bindje analisti politik Mersel Bilalli. Ai ka thënë për Televizionin “Globi”, se ka informacione se bartësit e kësaj nisme janë disa persona të cilët janë të përgjegjshëm dhe nuk e kanë prirje ta trajtojnë politikën si segment I interesave të ngushta, e aq ma pak parasë.

“Pra, shpresoj që popullata ta pranojë sa më shpejtë dhe sa më mirë këtë nismë”, ka deklaruar Bilalli.

Ndërkohë, nuk dihet se kush është themeluesi i kësaj partie. Profesori universitar Mersel Billali i shmanget përgjigjes së drejtpërdrejtë për të publikuar emrat, por thotë se janë njerëz relativisht të rinj dhe me përvojë.

“Është një gjeneratë relativisht e re por të dëshmuar në segmenetet edhe humanitare edhe arsimore dhe shkencore, dhe të dëshmuar se nuk janë të prirë ta trajtojnë të gjithë problemin nga segmenti i vet dhe personal”, ka deklaruar Bilalli. Ai shpreson se ata do të demonstrojnë atë që ka nevojë popullata shqiptare në Maqedoni.

Ndërkohë, analisti politik Ismet Ramadani thekson se personalisht nuk ka informacione se kush qëndron prapa një nisme për një parti të re, por vet fakti se ka një pakënaqësi nga veprimi i dy partive kryesore shqiptare lë të kuptohet se dikush megjithatë do të lëvizë dhe do të gjejë hapësirë për të formuar ndonjë subjekt apo lëvizje për të ndryshuar diçka në politikën shqiptare.

“Një iniciativë e re është shumë e mundshme në qoftë se brenda këtij viti, BDI nuk bën ndonjë veprim për ta defaktorizuar ose për ta larguar nga pushteti VMRO-DMPNE, dhe nëse Maqedonia do të mbetet jashtë strukturave evro-atlantike, në kohën kur do të zhvillohet Samiti i NATO-s dhe mbledhje e Këshillit Evropian. Gjithashtu, nëse vazhdon kjo politikë anti-shqiptare e pushtetit që e kontrollon VMRO-ja, atëherë vetvetiu do të krijohet hapësirë për një subjekt të ri politik”, ka deklaruar Ramadani, gjatë një prononcimi për “Zhurnal”.

Sipas tij, vet situata aktuale në Maqedoni mund të krijojë terren për një parti të re, por vetëm nëse vazhdon BDI të sillet si pjesë e pushtetit. “Ajo është partia më e madhe shqiptare, dhe është e obliguar që ta ndryshojë situatën, por duhet të bëjë veprime shumë radikale e cila ka qasje kryekëput anti-shqiptare, anti-NATO dhe anti-BE”.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net