Qeveria Gruevski anashkalon gjuhën shqipe në Strugë - tetova1.com

Qeveria Gruevski anashkalon gjuhën shqipe në Strugë


gruevski
Kategoria: Lajme / te fundit / TOP LAJM

Postuar më: Thu, Sep 11, 2014





Qeveria Gruevski vazhdon të injoroj dhe anashkaloj gjuhën shqipe në zonat e banuara me shqiptar në Maqedoni.
Gjatë përurimit të punimeve në Zonën për Zhvillim Teknologjik Industrial, ku prezent ishte Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevski dhe ministra e funksionarë shqiptarë të BDI-së, Komuna e Strugës reagoi për shkak të anashkalimit të gjuhës shqipe që u bë në tabelat informative të këtij aktiviteti.
Të njëjtën ditë, në vendshikim kanë dalë inspektorët komunalë të Strugës, të cilët kanë bërë vërejtje për mospërdorim të Gjuhës Shqipe në këto tabela.
Inspektorët kanë plotësuar procesverbal dhe kanë urdhëruar firmën që merret me punimet në fjalë që të reagojë në kohë, përndryshe do të merreshin masat e nevojshme në bazë të ligjit.
Kështu sot, në Komunën e Strugës ka ardhur një letër lajmërimi nga kompania e kontraktuar për kryerjen e punimeve, në të cilën thuhet se është bërë gabim nga ana e udhëheqësve të punimeve dhe se në afat sa më të shkurtër kohor do të veprohet në bazë të Nenit 7 të Ligjit për përcaktimin e emrave, rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore dhe se do te vendoset tabelë informative edhe në Gjuhën Shqipe.
Komuna e Strugës thotë se, do të vazhdojë me zbardhjen dhe zgjidhjen e rasteve të ngjashme të shkeljes së Ligjit për përdorimin e gjuhëve që bëhet nga institucione që nuk janë në varësi të saj.
“Ne jemi të prirur që rastet e tilla ti zbulojmë dhe për të njëjtat të marim masat e nevojshme, gjithmonë në pajtim me ligjet në fuqi dhe këtë e kemi dëshmuar në shumë raste të bëra publike, përmes mediave në vend.
Apelojmë edhe tek qytetarët e Komunës së Strugës, që në rast se vërejnë shkelje të tilla të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, të njëjtat ti paraqesin në organet komunale, gjegjësisht Inspektoratin e Komunës së Strugës”, thuhet në deklaratën e komunës së Strugës. (Mehmet Latifi-INA)

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net