BDI-ja prononcohet për ndryshimin e emrave të shkollave - tetova1.com

BDI-ja prononcohet për ndryshimin e emrave të shkollave


VMRO_BDI
Kategoria: Arsim / TOP LAJM

Postuar më: Fri, Sep 12, 2014





Bashkimi Demokratik për Integrim në mënyrë indirekte ka pranuar “kërcënimet” e kryeministrit Gruevski se, nëse ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi miraton emrat e rinj të katër shkollave shqipe në Çair, atëherë VMRO do ta largojë nga Qeveria partinë e Ali Ahmetit. Nëpërmjet një komunikate drejtuar mediave, BDI ka sqaruar se realiteti i ri në Maqedoni pas luftës së 2001-shit, nënkupton edhe ndryshimin e vlerave të trashëguara të sistemit të njëmendësisë dhe përafrim me dëshirat dhe pritjet e komunitetit shumicë në komunat përkatëse.

“Maqedonia e pas vitit 2001 ka përqafuar realitetin dhe po përforcon karakterin multietnik të shtetit si vlerë e shtuar për stabilitetin e qëndrueshëm të shoqërisë tonë. Kjo nënkupton edhe ndryshim të vlerave të trashëguara të sistemit të njëmendësisë dhe përafrim me dëshirat dhe pritjet e komunitetit shumicë në komunat përkatëse. Për ti realizuar këto ndryshime të vlerave të imponuara me dekada të tëra nga një sistem përjashtues për shqiptarët, nevojitet punë e përbashkët e përfaqësuesve legjitim të të dy komuniteteve shumicë në vend. Vullneti i vetëm që mund ta përcakton këtë legjitimitet dhe pjesëmarrjen e një subjekti politik në Qeveri është vullneti i sovranit i shprehur në zgjedhje të lira dhe demokratike”, thuhet në komunikatën e BDI-së. Më tej, partia e Ahmetit vlerëson se emrat e shkollave u ndërruar jo se deshi politika, por se e njëjta u kërkua nga prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit. “Sa i përket çështjes së emrave të shkollave, Bashkimi Demokratik për Integrim trajton çështjet në mënyre parimore dhe në përputhje me pritjet e qytetarëve, prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve në shkollat përkatëse, por assesi për përfitime të ulta politike. Emrat u ndryshuan për arsye se këtë e deshën prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit, e jo dikush tjetër. Ne nuk e kemi mendjen që çdo të hënë t’i ngremë tabelat e emrave se kjo nuk do të ketë asnjë vlerë për qytetarët dhe nuk e ndihmon fare procesin edukativo-arsimor”.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net