Model i ri në politikën regjistruese në shkollat e mesme të Tetovës
Këtë vit, ndryshe nga vitet tjera Sektori për Veprimtari Publike në Tetovë ka përpiluar politikën regjistruese nëpër shkollat e mesme, ku duhet të bëhet seleksionimi i nxënësve. Me anë të kësaj nisme synohet përzgjedhja e vetëm nxënësve të shkëlqyer, përpos saj të dallohen edhe me pjesëmarrjen nëpër gara dhe aktivitete të ndryshme shkencore dhe shoqërore, si dhe të bëhet lehtësimi i shkollave ku vitet e kaluara ishin të mbingarkuara me më shumë se 35 nxënës në një klasë.
Drejtuesi Ahmed Qazimi nga Sektori për Peprimtari Publike thotë se është arritur sukses që nuk pranuam nxënës të cilët nuk i plotësuan kriteret dhe në një periudhë afatshkurtër do të mundim të arrijmë disa objektiva kryesore, raporton Anadolu Agency (AA).
“Me këtë politikë regjistruese patëm sukses, me atë që në shkollën e mesme të gjimnazit nuk pranuam nxënës të cilët nuk i plotësonin kriteret e përcaktuara. Përpos kësaj, bëmë edhe një seleksionim të nxënësve të shkëlqyeshëm, ku në njërën prej objekteve të gjimnazit formuam paralele ku ishin të pranishëm vetëm nxënës me pikët të cilat janë mbi 70 të regjistrimit, kjo nënkupton sukses të shkëlqyeshëm, të jenë shembullorë në sjellje si dhe të kenë treguar suksese nëpër gara dhe aktivitete të ndryshme kombëtare apo ndërkombëtare. Po ashtu, arritëm të ulnim numrin e nxënësve të regjistruar, si p.sh. vitin e kaluar në vit të parë kanë qenë të regjistruar 783 nxënës, kurse këtë vit 577 nxënës. Gjithashtu patëm edhe një seleksionim të rreptë në shkollën e mesme të mjekësisë, ku vitin e kaluar kanë qenë të regjistruar 672 nxënës, këtë vit vetëm 368 nxënës pranuam në vit të parë. Në të dyja shkollat e mesme pranuam vetëm nxënës të shkëlqyeshëm, me atë që nuk kemi më paralele të mbingarkuara me mbi 35 nxënës në një klasë” – shpreh Ahmed Qazimi për AA
Sipas tij, një kuriozitet tjetër është se gjimnazi i Tetovës vitin e kaluar ka qenë gjimnaz me numrin më të madh të nxënësve në Evropë, me 108 paralele dhe 3150 nxënës. Dhe kjo rngarkesë e nxënësve ka ndikuar në uljen e cilësisë të mësimdhënies, si dhe ka ndikuar drejtpërdrejt që këto shkolla të cilat në një kohë kanë qenë të njohura në kuadër të shtetit dhe më gjerë, tani të jenë shumë poshtë të ranguara në maturat shtetërore dhe në provimet.
Ademi shton se me këtë politikë do të bëjmë seleksionimin e nxënësve dhe në afat dy apo tre vjetor do të kemi shkolla elitare dhe do të jemi konkurrues në garat shtetërore, në maturën shtetërore, provimet, aktivitete sportive, etj, si dhe të jenë të testuara në pesëshen apo dhjetëshen e parë të shtetit.
“E gjithë kjo, ndikoi në rritjen e numrit të nxënësve në shkollat e mesme profesionale, vetëm në vit të parë në krahasim me vitin e kaluar mbi 45% është rritur numri i nxënësve të regjistruar dhe janë plotësuar të gjitha profilet arsimore. Në shkollën e mesme profesionale Mosha Pijade janë plotësuar 15 profile të ndryshme arsimore, pra kemi drejtimin e arkitekturës, të elektros, të maqinerisë, të komunikacionit, të veterinarisë, të bujqësisë profile të cilat janë tërheqëse dhe konform ndaj kërkesave të tregut të punës. Gjithashtu në shkollën e mesme tekstile u plotësuan 10 profile arsimore, ku për një ditë të regjistrimit u plotësua drejtimi i dizajnit. Ne këtë e përballuam dhe jemi qytet i vetëm në rajon apo më gjerë, ku kemi rritje të përqindjes të nxënësve në shkollat e mesme profesionale. Trendi evropian i përqindjes të nxënësve të cilët janë të regjistruar në këto shkolla është prej 70% deri 80%, ne këtë e kishim nën 50%, por me këtë politikë këtë vit kemi arritur afër 65% të regjistruar në shkollat e mesme profesionale, kurse në një periudhë 2 apo 3 vjetore do të jemi krah për krahë me shtetet evropiane ku përqindja do të jetë afër 80%. Me këtë drejtpërdrejtë do të formojmë kuadro për tregun e punës dhe do të ndikojmë në zhvillimin pro ekonomisë në këto regjione dhe me atë do të kemi edhe zhvillim më të madh ekonomik” – deklaron Ahmed Qazimi për AA.









