Maqedoni: Vetëm brenda dy viteve janë larguar mbi 280 mjekë
|
Vetëm gjatë dy viteve të fundit nga Maqedonia janë larguar mbi 280 mjekë, si pasojë e politikave të gabuara në sistemin shëndetësor, bën të ditur Shoqata e Mjekëve që punojnë në ordinanca private.
Ndërkohë, nga viti 2010 deri më sot, mbi 600 mjekë kanë kërkuar konfirmim nga Oda e Mjekëve për t`u larguar nga Maqedonia.
“Numri i mjekëve, të cilët viteve të fundit largohen nga Maqedonia, vërtet është shumë i madh dhe kjo është si pasojë e pagave shumë të ulëta. Mendoj se duhet të bëhet diçka në drejtim të përmirësimit të statusit të mjekëve në Maqedoni, përkatësisht përcaktimit të pagës fikse të mjekëve, e cila nuk guxon të jetë nën 40 mijë dhe jo siç është gjendja aktualisht, ku paga e mjekëve privatë sillet nga 15 mijë denarë deri në 30 mijë varësisht nga numri i pacientëve”, thotë Lilija Collakoska, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Privatë.
Ajo shton se tani gjithnjë e më shumë bëhet e vështirë të gjenden mjekë, të cilët do të mund të angazhohen në ordinancat private , veçanërisht në qytetet e Maqedoninë Lindore, ngase në këto vende mjekët nuk mund të përmbushin kuotën e paraparë të pacienteve për të siguruar pagë të plotë.
Nga Sindikata e Punonjësve të Shëndetësisë thonë se shifra e largimit të mjekëve nga vendi nuk është dhe aq alarmante, ashtu siç është gjendja në Evropën Qendrore dhe atë Lindore.
Ilir Luma, mjek nga Tetova konsideron se nëse nuk ndërmerren masa konkrete për të parandaluar ikjen e mjekëve nga Maqedonia, ky trend do të ketë impakt shumë negativ në sistemin shëndetësor të Maqedonisë, veçanërisht mungesa e specialistëve në lëmi të caktuara.
“Po tashmë vërehet që pacientët nuk mund t`i marrin shërbimet shëndetësore ashtu siç u garantohet atyre me sigurimin shëndetësorë, si pasojë e mungesës së mjekëve, përkatësisht të numrit të vogël të specialistëve në profile të caktuara, të cilët kanë siguruar eksperiencë në bazë të standardeve të larta dhe ajo atyre politike. Pacientët gjenden para një akti të kryer, duke u detyruar të ikin në institucione private dhe kështu edhe pse janë të siguruar pagesën e bëjnë nga xhepi”, thekson përt REL, Luma.










