Si do të reflektojë në Maqedoni qasja e re politike e Tiranës zyrtare?
Nga kryeqyteti i Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ka përsëritur një deklaratë të tij të bërë në Berlin, në samitin e burrështetasve të vendeve të Ballkanit Juglindor. Kreu i Qeverisë shqiptare ka theksuar se rruga Maqedonisë për të hyrë në NATO do të jetë e varur edhe nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.
Kjo kërkesë e përsëritur reflekton përkushtimin gjithnjë e më të madh të drejtuesve të shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe të Kosovës, për çështje që kanë të bëjnë me realizimin e kërkesave të komunitetit shqiptar në Maqedoni.
Në disa raste, ky përkushtim i burrështetasve shqiptarë është komentuar si një ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë, dhe ka reflektuar edhe si rritje e presionit ndaj faktorit politik shqiptar në vend.
Analisti politik Mersel Bilalli thotë se zakonisht deklarata të tilla sikur ajo e kryeministrit Rama, bëhen kur punët e themelore shqiptarët në Maqedoni nuk i kryejnë vetë. “Dikush mund të thotë se deklaratat e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar janë përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë. Por, edhe drejta ndërkombëtare lejon që shtetet kanë të drejtë të interesohen për popullatën që jeton jashtë kufijve”, ka thënë Bilalli, për “Zhurnal”.
Ai nuk e ka quajtur të jashtëzakonshme deklaratën e Ramës, ndërsa ka thënë se këtë ajo që tha kryeministri i Shqipërisë, do ta thoshte çdo drejtues i një shteti anëtar i NATO-s dhe që ka të drejtën e vetos.
Sipas Bilallit, këso deklaratash mund ta bëjnë edhe SHBA-të, edhe Gjermania, Holanda, Turqia edhe Shqipëria.
Si mund të reflektohet rritja e interesimit të zyrtarëve shqiptarë për situatën politike në Maqedoni? Analisti Bilalli thekson se kryeministrit Gruevski nuk i bëhet vonë për deklarata të tilla, për shkak se nuk shqetësohet shumë për mungesën e ftesës për anëtarësim në NATO.
“Por, ne aq shumë kemi kujdes për emocionet e kryeministrit, ndërsa ky i shkel emocionet tona kolektive pa kurrfarë problemi. Ky është problemi”, ka deklaruar analisti Bilalli. Analisti politik Arsim Sinani, në një deklaratë për “Zhurnal”, ka thënë se aktualisht shqiptarët në Maqedoni nuk kanë një platformë të përbashkët për të vepruar në situata të tilla.
“Nëse ka një marrëveshje nën tavolinë, të ketë përfitime edhe në raportet me Kosovën dhe Shqipërinë. Mendoj se kjo do të kishte qenë shumë e dobishme për shqiptarët”, ka vlerësuar Sinani.
Ndërkohë, gjatë një seance në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ka përmendur se kërkesat e NATO-s për Maqedoninë përfshijnë edhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kreu i ekzekutivit shqiptar ka thënë se futja e kësaj kërkese shtesë është bërë për shkak të këmbënguljes së Qeverisë së Tiranës. (A. F.)





