Skandaloze: Ali Ahmeti s’ka njohuri elementare për FBI-në, kurse kërkon ndihmë prej saj!
|
Deklarata e Ali Ahmeti përpos se një paradoks më vete, është edhe një tallje me opinionin. Analistët për Almakos theksojnë se…
FBI është një agjension shtetëror që i takon Shteteve të Bashkuara të Amerikës - Departamenti i Drejtësisë, që funksionin si polici investigative për kriminalitet, në bashkëveprim me agjensionin e inteligjencës. Njëkohësisht, FBI merret me investigimin e krimeve vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe jo jashtë saj, kështu flasin të dhënat rreth agjensionit FBI.
Analistët e kontaktuar nga Almakos, theksojnë se kjo që ka kërkuar Ali Ahmeti përpos se një paradoks më vete, është edhe një tallje me opinionin, pasi që rastet siç është Monstra, i takojë t’i hetoj shteti ku ka ndodhur krimi.
“Kërkesa është paradoks që kalon vetëm te ne. FBI nuk monitoron por heton raste. Kjo kërkesë tregon se lideri Ali Ahmeti nuk ka besim në BDI-në që është pjesë e institucioneve që hetojnë dhe procesuojnë rastin, siç është Ministria e Drejtësisë apo MPB. Rrjedhimisht Ahmeti nuk i beson vetvetes si pjesë e pushtetit andaj fton FBI. Ose, dëshiron sërish të tallet me opinionin shqiptar si me deklaratën që rastin ta monitorojë OSBE”, - deklaron Xhelal Neziri, për Almakos.
Ndërkohë, sipas Mersel Bilallit FBI është një polici federale, nuk është një gjykatë.
“Ajo është polici federale e jo gjyqësi. E dyta, askund në botë një shtet nuk mund të monitoroj procese gjyqësore në shtetin tjetër, po as nëse shteti vendas vet e thirr. Kjo deklaratë është sa për sy e faqe. Punën kryesore e ka prokurori i cili mbledh, ofron dhe propozon prova, ekspertizë, etj”, - pohon Bilali për Almakos.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ditë më parë kërkoi që FBI ta monitorojë procesin “Monstra”.
“Edhe pse kjo çështje i takon fushës së gjyqësorit dhe së drejtës, prek drejtpërsëdrejti marrëdhëniet ndëretnike. Për ne ato janë shumë të rëndësishme. Vlerësojmë se mbikëqyrja ndërkombëtare do të rrisë kredibilitetin e këtij procesi, i cili në thelb është shumë i ndërlikuar. Në këtë kontekst, ne kërkuam që procesin ta monitorojë FBI”, ka deklaruar Ahmeti.
Disa njohës tjerë të rrethanave politike në Maqedoni, thonë se Ali Ahmeti është i vetëdijshëm se Gruevski nuk do ta pranojë këtë propozim, por e bën me qëllim që të defokusojë vëmendjen e opinionit nga mega - skandali me ‘selfie NExhat Agolli’, si dhe nga debakli i BDI-së në 100 ditshin të qeverisjes. Ata thonë se vetë deklarata e Ahmetit paraqet skandal më të madh se ai me Metodija Shatorollovin, sepse FBI nuk monitoron, por heton, edhe atë vetëm brenda SHBA-ve. E vetmja gjë që mund të kërkojnë shtetet e huaja, janë ekspertë nga FBI-ja t’u dalin në ndihmë, dhe jo FBI-në si institucion përkrahës.






