Grubi: Ekspertët e huaj mund të rikthejnë kredibilitetin në “Monstra”
|
Përfshirja e ekspertëve të huaj në procesin gjyqësor “Monstra” është kërkesë për të cilën këmbëngul partia shqiptare në pushtet. Kjo ka qenë edhe kërkesë kryesore e familjarëve, të cilët disa javë me radhë kanë protestuar, duke kërkuar mes të tjerash edhe ndërhyrjen e të huajve, si mënyrën e vetme për të hequr damkën e një procesi të mbështetur në prova të dyshimta.
Artan Grubi, shef i Kabinetit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti sqaron se kërkesa për përfshirjen e hetuesve të huaj në këtë proces gjyqësor është në funksion të rikthimit të besimit të qytetarëve dhe përmirësimit të kredibilitetit të dëmtuar të procesit gjyqësor “Monstra” si dhe mungesën e transparencës gjatë zhvillimit të gjykimit në shkallën e parë.
“Ekspertët amerikan kanë qenë pjesë përbërëse e proceseve të komplikuara në Serbi, Bullgari, Kosovë, Shqipëri, etj. Kjo nuk do të thotë ndërhyrje, por asistencë, njëjtë sikur që ndërkombëtarët ndihmojnë në shumë fusha në vend”, ka thënë Grubi, për “Zhurnal”.
Ai ka njoftuar se kryetari Ahmeti ka ngritur këtë çështje me partnerët e koalicionit qeveritar si dhe me ambasadorin amerikan dhe zonjën Viktoria Nulland gjatë vizitës së saj në Shkup.
“Jemi ne pritje të shpalljes së aktvendimit nga shkalla e lartë që do të mundëson ankesën deri tek Gjykata e Apelit, të shoqëruar me kërkesë për monitorim ndërkombëtar”, ka thënë Grubi.
Këtë e ka thënë edhe avokati i të dënuarve, Naser Raufi. Ai ka shpjeguar se pasi ta marrin vendimin gjyqësor të shkallës së parë, do të kërkohet rigjykim i rastit dhe kjo do të përbëjë mundësi për përfshirjen e ekspertëve.
Ndërhyrja e FBI-së ose e ndonjë institucioni tjetër ndërkombëtar në procesin “Monstra” është e mundur edhe sipas shembullit të rastit “Ilir Meta” në Shqipëri.Referuar këtij rasti, ekspertët amerikanë nga kjo agjenci kanë mundësi të kryejnë ekspertizën e provave në një proces gjyqësor, por rezultatet e saj nuk janë të detyrueshme për gjykatat e vendit.
Gjatë viteve të fundit, ekspertë amerikanë u përfshinë edhe në rastin hetimeve rreth vetëvrasjes së dyshimtë të Dino Hasanajt, drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit. (A. F.)










