Mjekësia e Tetovës, jo më shumë se 25 nxënës në klasë - tetova1.com

Mjekësia e Tetovës, jo më shumë se 25 nxënës në klasë


shkollat elite
Kategoria: Arsim / TOP LAJM

Postuar më: Thu, Oct 9, 2014





Shkolla elite, sikurse quhen ndryshe gjimnazet, mjekësia dhe ekonomia, në Tetovë, prej këtij viti shkollor kanë nis një metodë të re të regjistrimit të nxënësve, respektivisht atë të pranimit të nxënësve në suazat e minimumeve të lejuara me Konkurs dhe Ligj. Në shkollën mesme të mjekësisë “Nikolla Shtenj”, sipas Amet Qazimit, përgjegjësit për arsim të Komunës e Tetovës, në asnjë paralele që u formua për vitin 2014/2015 nuk ka më tepër se 25 nxënës në klasë. Sipas ligjeve për arsim të mesëm dhe fillor - për formimin e një paralele nevojitet të jenë më tepër se 24 nxënës në një klasë dhe jo më shumë se 34 nxënës. Pra, shkollat e mesme elite të Tetovës kanë vendosur të qëndrojnë në ekstremin nimimal të Ligjit sa i përket formimit të paraleleve. Kjo me qëllim të rritjes së cilësisë, sikurse vëren Qazimi. “Për regjistrimin e nxënësve në mjekësi dhe gjimnaze kemi synuar në shkojmë në rritjen e cilësisë duke respektuar në mënyrë të përpiktë kriteret e caktuara me Konkurs. Nëse vitin e kaluar, për shembull, kishim paralele me nga 38 nxënës në një klasë, këtë vit në paralelet e mjekësisë ka vetëm nga 25 nxënës, që do të thotë se kemi pranuar vetëm nxënës super të shkëlqyeshëm dhe që kanë ploëtsuar kushtet e parapara me Konkurs”, deklaron përgjegjësi për arsim i Komunës së Tetovës.

Kjo, sikurse shpjegon më tej ai, është arritur duke mos lejuar zbritjen e pikëve të caktuara me Konkurs. Sipas këtij të fundit gjatë afateve të dyta dhe të treta të regjistrimit shkollat sipas nevojës mund të zbresin me nga pesë pikë më poshtë kotën e pikëve të regjistrimit me atë që t’ju japin mundësi më tepër nxënësve të regjistrohen në paralelet e lejuara me Konkurs. Për drejtimet e shkollave medicinale, këtë vit duhej që kandidatët të posedojnë 70 pikë. Mirëpo, në Tetovë sikurse konfirmon përgjegjësi komunal Qazimi, shkollat elitare mesin e të cilëve edhe kjo e mjekësisë nuk zbritën nivelin e pikëve për regjistrimin e nxënësve në vitin shkollor 2014/2015. Kjo me qëllim të sigurimit të nxënësve edhe për shkollat tjera profesionale. Përgjegjësi Qazimi, thotë se janë dhënë edhe rezultatet konkrete. “Këtë vit në shkollat tjera profesionale janë regjistruar 45 për qind më tepër nxënës se vitin e kaluar”, nënvizon ai. Dekadën e fundit drejtime të teknikës, bujqësisë, elektroteknikës, bujqësia apo pylltarisë ka vite që po braktisen prej nxënësve, sepse në nivel shteti është kthyer në modë regjistrimi në gjimnaze, mjekësi dhe ekonomi. Ky fenomen më i theksuar është te shqiptarët. Praktikën që sivjet kanë ndjekur shkollat e mesme elite në bashkëpunim me Komunën e Tetovës për të mos zbritur kuotën e pikëve të caktuara me Konkurs, janë nënvizuar si shumë pozitive nga ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi.

“Këtë vit, në Komunën e Tetovës u bë një përpjekje e cila rezultoi shumë pozitive në drejtim të orientimit të nxënësve nëpër shkollat e mesme. Drejtorë dhe përgjegjës të shkollave të mesme në Tetovë me përfaqësuesit komunal u morën vesh që gjatë regjistrimit të mos zbresin kuotën e pikëve nga suksesi i notave për regjistrimin në paralelet gjimnaz, ekonomi dhe medicinë. Njëkohësisht u dakorduan që të mos lejojnë tejkalimin e numrit të nxënësve në një klasë”, vërente Ademi, ndërsa apelon që të njëjtën praktikë ta ndjekin edhe komunat tjera. Përgjegjësi për arsim në Komunën e Tetovës, Qazimi, tregon se në SHMM “Nikolla Shtenj” për vitin 2014/2015 ishin paraqitur rreth 800 kandidatë, ndërsa u pranuan rreth 350 nxënës. Nxënësit që nuk plotësonin kriter për tu regjistruar në drejtimet e mjekësisë dhe gjimnaz i orientonin në shkolla të tjera profesionale atraktive dhe ku u plotësuan shumë vende që kishin mbetur të lira nga afati i parë. Me decentralizmin e arsimit, prej vitit 2006 pushteti vendor kë fituar një pozita vendimmarrëse në krijimin e politikave të regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme, pasi janë pikërisht komunat në bashkëpunim me shkollat të cilat i propozojnë MASH-it konkurset përkatëse. Megjithatë, shkollat dhe komunat nuk e kanë fituar ende krejtësisht betejën me dukurinë e regjistrimit të nxënësve shqiptarë nëpër paralelet maqedonase. Në dijeninë e Qazimit, në shkollat e mesme të Tetovës nuk është regjistruar asnjë nxënës shqiptarë në paralelet maqedonase. /Gazeta KOHA/

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net