Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” themeloi Çmimin kombëtar “Ali Vishko”
|
Personaliteti i Ali Vishkos, që njihet si profesori i qindra nxënësve dhe studentëve, autori i disa veprave të botuara për historiografinë shqiptare, i cili shërben si shembull e model për t’u ndjekur nga gjeneratat e reja.
Figura e tij është e gjithanshme, që duhet studiuar në shumë aspekte. Personaliteti dhe veprat shkencore e publicistike të profesor Vishkos meritojnë respektin më të lartë, kështu u tha nga studiuesit të cilët morën pjesë në Konferencën shkencore, me temë: “Veprimtaria arsimore dhe shkencore e Prof. Dr.Ali Vishkos”, që u organizua nga Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita” nga Tetova.
Për ta ndriçuar edhe më shumë figurën e këtij pishtari të arsimit, Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita”, themeloi Çmimin kombëtar ,,Ali Vishko”, i cili do të ndahet njëherë në vit personalitetet me merita të veçanta në fushën e historisë, artit dhe kulturës shqiptare, kështu njoftoi kryetari i kësaj shoqate, Selam Sulejmani.
“Kam kënaqësinë e veçantë që para Jush dhe mbarë opinionit ta bëj publik Vendimin e Kuvendit dhe të Kryesisë së Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita”, për themelimin e ÇMIMIT KOMBËTAR “ALI VISHKO”. Ky çmim, që do të mbajë emrin e profesorit Ali Vishko, do t’u jepet njerëzve me merita të veçanta, në fushën e historisë, artit dhe kulturës shqiptare. Çmimi “Ali Vishko” do të jepet një herë në vit, dhe sipas Vendimit të Shoqatës sonë, ky çmim kombëtar do të ndahet në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit”, tha Selam Sulejmani, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” .
Kumtesat e studiuesve që u paraqitën në punimet e kësaj konference shkencore do të botohen në një përmbledhje të veçantë për veprimtarinë arsimore dhe shkencore të Prof. Dr.Ali Vishkos.















