P’D’TH vs PDS ≠ PDSH - tetova1.com

P’D’TH vs PDS ≠ PDSH


Kategoria: Opinione

Postuar më: Sht, Tet 11, 2014





Avni AVDIU

Pluralizmi politik në Maqedoni, por edhe në përgjithësi në Ballkan, gjatë këtyre dy dekadave, ka sjellur kuriozitete nga më të ndryshmet; prej atyre që të shtyjnë të qeshësh e deri tek ato që të shtyjnë të qash. Në mesin e kësaj historie (histerie) të tranzicionit të stërzgjatur ndodhet edhe PDSH, parti kjo fillimisht e ndarë si fraksion nga Partia e Prosperitetit Demokratik, e që u quajt Partia e Prosperitetit Demokratik të Shqiptarëve. Atëherë ishte ky trik i menduar mirë nga lideri i saj i ndjerë për të kaluar nga rrafshi qytetar në atë nacional.

I ardhur nga Kosova, si ideolog i partive të majta në Kosovë, ai u vu në krye të partisë që u quajt e djathtë, gjë që ia mundësoi ngjitjen majave të pushtetit si partnere ideologjike e të djathtës maqedonase VMRO-DPMNE. Kongresi i Bashkimit me Partinë Popullore solli emërtimin e ri Partia Demokratike Shqiptare - PDSH, një version i ngjashëm me PDSH (Partinë Demokratike të Shqipërisë). Kjo parti në krahasim me PPD hyri më furishëm në skenën politike, duke ndezur ndjenjat e trazuara kombëtare. Me pak fjalë dhe pa hyrë në hollësira, në krahasim me PPD, PDSH në koalicion me VMRO-DPMN vërtet korri disa arritje, por jo edhe të mjaftueshme. Hendeku i thellë dhe i patejkalueshëm, krijoi mundësi dhe rrethana për fillimin e luftës së 2001. Pas përfundimit të luftës PDSH humbi kredon e vetme që e solli në pushtet – ‘kartën patriotike’.

Tashmë më radikal konsiderohej ai që ishte vënë në krye të UÇK-së dhe vendimi i tij për formimin e partisë politike, shënonte edhe tatëpjetën e PDSH-së. PDSH asnjëherë më nuk mori shumicën e votave. Përkundër gabimeve dhe skandaleve të shumta të BDI-së, PDSH-ja kurrë më nuk u këndell dhe nuk e mori dot veten. Megjithëkëtë, në krye të saj vazhdon të qëndrojë lideri Menduh Thaçi, edhe pëskaj paralajmërimeve të tij publike se do të dorëhiqet nëse nuk fiton. Mirëpo, në veçanti, qyshkur partia e tij filloi të humbas, ai më nuk udhëhiqet nga parimet demokratike, por çon politikë inatesh në një anë me oponentin politik BDI (se ka ardhur në pushtet dhunshëm, bile edhe duke shkaktuar luftë të panevojshme për shqiptarët – 2001) dhe në anën tjetër me të gjitha mediet dhe analistët që kërkojnë dorëheqjen e tij. Në këtë mënyrë, tani ai është shndërruar në fenomen që dëshiron t’ia kalojë edhe Sali Berishës për nga kohëzgjatja e drejtimit të partisë dhe të hyjë në librin e Ginisit. Gjykuar sipas parimeve demokratike e jo putiniste, sikur Menduh Thaçi të ishte figura më fotogjenike në botë dhe me inteligjencën gjeniale politike më të famshme në historinë e njerëzimit, rendi e do që të ndërrohet. Jo më kot vendi me traditë më të madhe demokratike SHBA e ka të fiksuar presidencën maksimum dy mandate nga katër vite, pra shkurt në Amerikë aq ka tetë vite dhe pikë, më tepër do të bëhej bajat edhe Bushi, edhe Klintoni edhe Obama etj. Përpiluesit e kushtetutës së shtetit më progresiv në botë sigurisht këtu e kanë pasur parasysh edhe komponentën psikologjike; se sado madhështor të jetë një lider, ai me kalimin e kohës bëhet monoton, ezaurohet dhe s’ka çka ofron. Pa mohuar afinitetet e Menduh Thaçit, zhdërvjelltësinë e tij makiaveniste, akrobacionet e shkëlqyera për t’i shpallur edhe ‘plehrat’ më pas në margaritarë, edhe ish-të anatemuarit në të bekuar e kështu me radhë, ai tashmë duhet të jetë lodhur. I duhet pushim si çdo njeriu normal, mbase ai nuk është mbinjeriu niçenian. I duhet pushimi thjesht edhe për shkak të shëndetit fizik e mental.

Tani kur për nesër është paralajmëruar mbajtja e kongresit qëndror të PDSH-së, ai duhet të reflektojë. Ai duhet të kuptojë se mënyra se si udhëheq me partinë e tij, nuk është demokratike, por është mënyra private e një drejtori të një korporate; pra PDSH është P’D’SH - pseudodemokratike/kuazidemokratike/hiperdemokratike. Në anën tjetër edhe oponenti i tij partiak Zijadin Sela ka paralajmëruar mbajtje paralele të një kuvendi reformues me ithtarët e vet.

Sela edhe mund të ketë shumicën e simpatizantëve dhe de fakto ai mund të jetë PDSH reale për momentin, por de jure ai s’mund të jetë, përderisa Thaçi me vete ka deputetët, të cilët përkthyer në vota nënkuptojnë mbi 70 mijë votues. Se a do të kishte kapacitet Sela të futej në zgjedhjet e ardhshme po ta ketë parasysh këtë fakt, mbetet pikëpytje e madhe. Në këtë mënyrë tani në PDSH realisht kemi dy tabore: e njërit që mund të jetë de fakto dhe e tjetrit de jure. Kjo të kujton pikërisht kohën kur u nda PPD-ja, në kuvendin e famshëm, kur deputetët e PPD u quajtën krahu i Xheladin Muratit (Abdurrahman Alitit), kurse shumica tjetër e kuvendarëve krahu i Arbën Xhaferit. Pozita e këtillë nuk mund të sjell reforma, por kaos (si dikur luftën e zyrave e vulave mes PPD dhe PPDSH) ose në formën më të drejtë thënë: në formimin e një partie të re - partinë e Zijadin Selës.

Kur akademik Nexhat Daci u nda nga LDK-ja në kuvendin ku për karrige luftohej me karrige, LDD-së filluan t’i thonë Lidhja Demokratike e Dacit. Edhe në Maqedoni tani gjendja në PDSH-në e ndarë është luftë mes Partisë ‘Demokratike’ të Thaçit dhe Partisë Demokratike të Selës; asnjëra nuk është e barabartë me një PDSH - të fortë opozitare. Pra ç’është më e rëndësishmja secila veç e veç ndihmon dhe forcon BDI-në në pushtet.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net