Analistët: Ri-zgjedhja e Menduh Thaçit shërbim vetëm ndaj një personi
|
“Rizgjedhja e Menduh Thaçit si kryetar i PDSH-së është një rrugë e pakuptimtë dhe shkon në dëm të opozitës.” Kështu vlerëson analisti politik Alajdin Demiri duke shtuar se me këtë, shqiptarët e Maqedonisë mbeten pa një parti të mirëfilltë opozitare. Ndërkohë analisti tjetër politik, Albert Musliu thotë se përçarja brenda PDSH-së është një grusht i fortë për këtë parti dhe veprim që ngulfat kapacitetin e tyre si subjekt politik për t’u bërë një opozitë e fortë.
“Kjo parti ka vendosur që në mënyrë të verbër t’i shërbejë Menduh Thaçit dhe jo të merret me politikë, pasi as nuk mund të bëjë opozitë, as nuk merret me politikë, as nuk ka platformë pasi ka hequr dorë prej platformës. Aksidentalisht vepron sipas mundësive, aksidentalisht vepron atë që krijon siç ishte rasti me rrahjet e kështu me radhë që d.m.th se definitivisht kjo parti nuk mund të bëjë opozitë dhe nuk mund të fitojë zgjedhjet pasi ka zgjedhur një rrugë të pakuptimtë të shërbimit të një personi dhe jo politikë bërjes.’, deklaroi Alajdin Demiri, analist
“PDSH-ja, jo që nuk bënë por as që ka ndërmend të bëj opozitë, pasi gjithnjë e më pak merret me politikë. Ka zaptuar një hapësirë dhe ajo hapësirë u shërben interesave grupore dhe kjo i jep mundësisë anemisë politike të shqiptarëve në Maqedoni, i jep mundësi një lehtësie të pakuptimtë BDI-së e cila edhe pa bërë asgjë, fiton zgjedhjet.”, theksoi Demiri.
Analistët politikë Alajdin Demiri dhe Albert Musliu vlerësojnë se rezultatet e zgjedhjeve të fundit por edhe vet komoditeti me të cilin BDI-ja vazhdon të jetë në pushtet, sugjeron se diçka duhet të ndryshojë tek opozita shqiptare. Në të kundërt, nuk mund të pritet ndonjë arritje kundrejt BDI-së.Valmir Kuçi










