Sela: Askush nuk mund të na ndalë që të festojmë - tetova1.com

Sela: Askush nuk mund të na ndalë që të festojmë


Kategoria: Lajme

Postuar më: Enj, Tet 16, 2014





Lideri i Nismës për Reformimin e PDSH-së, Ziadin Sela ka thënë para përkrahësve të tij se dënimi që iu është shqiptuar disa të rinjve tetovarë për festimet pas debutimit të suksesshëm të kombëtares shqiptare në ndeshjen me Serbinë, ishte akt i turpshëm i MPB-së. Ai ka thënë se nuk duhet fshehur se jemi pjesë e popullit shqiptar dhe se do të festojmë sa herë që kombëtarja të fitojë.

“Kanë nisur t’i ndjekin sepse festohet, saqë krijon bindje që mllefi më i madh është te këta serbofilët e vegjël këtu sesa te vet serbët. Por natyrisht ato 20 burra atje nuk u trembën nga ato mijëra serb, as ne nuk trembemi sepse jemi këtu në trojet tona. Jo vetëm tani por sa herë që kombëtarja do të na e zbardh fytyrën kështu ne do të festojmë. Edhe unë për vete festova. Ne se kemi fshehur kurrë dhe nuk e fshehim, bile kështu është edhe me Kushtetutë, ne jemi pjesë e popullit shqiptar. Dhe ne do të festojmë sa herë që kombëtarja jonë do të fitojë”, tha Sela.

Sipas tij, nuk është aspak e vlefshme miqësia e Maqedonisë me Serbinë për shqiptarët, pasi që shqiptarët nuk krijojnë miqësi me popuj barbar. “Dhe nuk u trembemi këtyre që përveç patrullave të përbashkëta të policisë, përveç përfaqësive diplomatike të përbashkëta që Maqedonia i ka me Serbinë, tani mundohen të ruajnë miqësinë me Serbinë. Neve nuk na duhet ajo miqësi, sepse ne jemi të hapur dhe jemi miq për të gjithë ata popuj që janë bujar, ndërsa me popujt barbar, me popujt që na duan të vdekjen tonë nuk na duhen miqësi”, tha Sela.

Duke folur për rrjedhën e zhvillimit të Lëvizjes për reforma brenda PDSH-së, Sela tha se të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen në këtë lëvizje, të formojmë se bashku një grusht të madh dhe të ndërtojmë bashkërisht strategjinë politike që të kemi sukses.

“Ne nuk duhet të presim që e keqja të na vijë te shpija, por duhet të dalim zot dhe ta mbrojmë të keqen që i vjen shqiptarit në Shkup, shqiptarit në Kumanovë, shqiptarit në Tetovë, në Gostivar, shqiptarit në Dibër dhe në Manastir, shqiptarit në Resnjë, në Dollnen dhe gjithandej ku ka shqiptar këtu në Maqedoni. Kjo është e vetmja formë të bëhemi grusht të gjithë së bashku dhe të ndërtojmë strategjinë e përbashkët politike në mënyrë që t’ia arrijmë dhe argumentet janë në anën tonë”, tha Ziadin Sela në takimin e tij me banorët e Gradecit.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net