Dy lëvizje të reja politike do ta dridhin skenën politike shqiptare në Maqedoni
|
Dy lëvizje të reja politike do ta dridhin skenën politike shqiptare në Maqedoni. Përpos nismës tashmë të filluar nga Zijadin Sela për reformimin e PDSH-së, në nëntor pritet të themelohet edhe Lëvizja Politike “Besa”, e cila që tani ka filluar të shkaktojë panik në taborin e BDI-së dhe PDSH-së, njofton e përditshmja në gjuhën maqedonase “Dnevnik”. Dy lëvizjet, sipas kësaj gazete, do të veprojnë ndaras.
Afrim Gashi, anëtar i grupit nismëtar për themelimin e lëvizjes, në një deklaratë për “Dnevnikun” ka thënë se gjithçka do të dihet më qartë gjatë muajit nëntor. Ai ka theksuar se bashkëthemelues të lëvizjes krahas Zeqirija Ibrahimit, punëtor shkencor, është edhe profesori universitar Bilall Kasami dhe specialisti – pediatër, Rexhep Memedi.
“Gjatë muajit nëntor do të mbajë mbledhje këshilli nismëtar i lëvizjes. Do të duhen dy – tre muaj për t’u krijuar strukturat dhe më pas në kongres të bëhet zgjedhja e kryetarit dhe të miratohen platforma dhe programi”, ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se qytetarëve do t’u ofrohet koncept tërësisht i ri i veprimit, i cili do të drejtohet nga intelektualë të dëshmuar në shoqëri dhe në fushat e tyre. Dhe, siç është shprehur Gashi, pa përjashtim të gjithë do të jenë njerëz pa bagazh politik.
“Subjekti i ri duhet të themelohet ngaqë BDI dhe PDSH e kanë devalvuar përfaqësimin e shqiptarëve. Koncepti i ri të cilin e ofron lëvizja, do të përfshijë gjithë shtetin dhe jo vetëm shqiptarët. Do të ofrojmë republikën e katërt. Më saktë do të kërkojmë sistem të ri politik, i cili do të jetë funksional”, ka theksuar Gashi.
“Dnevnik” komenton se lëvizja e filluar nga Sela do ta dëmtojë Partinë e Thaçit, ndërsa nga Lëvizja “Besa” vërehet qartë frika e Ali Ahmetit. /SHENJA/





