A ka në BDI një zëvendësues për Ali Ahmetin?! - tetova1.com

A ka në BDI një zëvendësues për Ali Ahmetin?!


Ali-Ahmeti-cigarja
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Sht, Tet 25, 2014





Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti paralajmëroi në një intervistë se ai do të mund ta linte kreun e partisë në rast se Maqedonia do të anëtarësohej NATO. Në këtë rast, Ahmeti ka theksuar rëndësinë për “jetë a vdekje” që partia shqiptare në pushtet i ka dhënë anëtarësimit të vendit në strukturat veri-atlantike.

Por, në rast të një largimi hipotetik të Ahmetit kush do të mund ta zëvendësonte atë. A ka BDI një figurë po aq karizmatike sa Ahmeti. Analisti politik Ibrahim Mehmeti thekson se nëse Ahmeti do të tërhiqej, BDI do të gjendej para një situate të vështirë. Historiku i BDI-së tregon se anëtarësia e partisë mbështet te figura karizmatike e Ali Ahmeti.

“Do të ishte jashtëzakonisht e komplikuar që të gjendet një pasardhës i pranueshëm për të gjithë. Në opinion deri tash nuk është vërejtur ndonjë figurë që do të ishte zëvendësim i denjë për Ahmetin. Ekziston Ali Ahmeti dhe të gjithë janë pas tij. Por, do të varej edhe nga momenti në të cilin lideri do të vendoste të tërhiqej. Nëse partia është në pushtet apo është në opozitë. Do të varet nëse do të dojë që të ketë reforma të brendshme apo do të vazhdonte strategjia e liderit”, ka deklaruar Mehmeti, për “Zhurnal”.

Ai ka përmendur rastin e LSDM-së, e cila edhe pse është parti me struktura që nuk kanë diferenca të mëdha ndërmjet vete, pas ikjes së Branko Cërvenkovskit nuk arriti ta rikthejë fuqinë që e kishte.

Në Maqedoni ka një situatë ku shumëçka varet nga një lider, i cili edhe mund të vendos se kush mund ta pasojë atë në post.
“Këtë e kemi parë në disa raste, për shembull në Shqipëri, ku pas Berishës erdhi natyrshëm Basha. Por, kjo bëhet sipas një konsesusi të brendshëm. Mirëpo, këto janë përjashtime”.

Mehmeti thekson se BDI e ka gjithë pushtetin dhe partia do të duhej që të parashikonte se pas ikjes hipotetike të liderit Ahmeti të mos lejojë të vetshkatërrohet, duke dëmtuar edhe politikën shqiptare. Por, analisti Mehmeti thekson se Maqedonia është larg anëtarësimit në NATO, dhe pengesë është sidomos zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë.

“Edhe nëse sot vendoset për ndryshimin e emrit do të duhet një periudhë e gjatë derisa të arrihet anëtarësimi në NATO. Ky nuk është proces i lehtë. Mendoj se vet lideri Ahmeti është i vetëdijshëm për këtë situatë komplekse dhe ndoshta ai ka dashur që të fitojë kohë ose të thotë se veprimet primare të BDI-së do të jenë anëtarësimi i NATO dhe në strukturat evro-atlantike”.

Mehmeti thotë se megjithatë kjo deklaratë ka kuptim sepse BDI ka deklaruar se detyrë e saj kryesore është anëtarësimi në NATO. “Do të ishte e logjikshme që partia të ofrojë një afat. Nëse kthehemi prapa dhe e shohim deklaratën e DBI-së se nëse vendi nuk anëtarësohej në NATO në samitin e shtatorit atëherë ajo do të bënte hapa të mëdhenj, duke mos përjashtuar dhe daljen nga Qeveria. Por, më vonë kjo deklaratë filloi të tërhiqej”. (A. F.)

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net