Sela: Ju rrëfej manipulimet e Thaçit në Kongresin 2011 - tetova1.com

Sela: Ju rrëfej manipulimet e Thaçit në Kongresin 2011


sela-thaci-pdsh
Kategoria: Intervista / Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Sun, Oct 26, 2014





Kryetari i Strugës dhe pretendenti për kreun e PDSH-së Ziadin Sela flet ekskluzivisht në një intervistë për “Zhurnal”, për rrënjët e konfliktit me ish-bashkëpunëtorin Menduh Thaçi, të cilin ai sot nuk pranon ta quajë kryetar legal të PDSH-së.

Sela pranon të flasë hapur, për herë të parë publikisht, për “incidentin” e ndodhur në Kongresin e 5-të të PDSH-së në prill të vitit 2011, kur Dega e Strugës braktisi punimet, për shkak të një liste me emra që qarkonte mes delegatëve, ku sugjerohej cilët delegatë të Strugës të mos votohen për anëtarë të Kuvendit Qendror.

Në atë kohë, Sela ishte kryetar i Degës dhe pati përplasjen e parë më serioze me Thaçin, me të cilin saktësisht tre vite më vonë do të divorcohen politikisht.

“Bëhej fjalë përsëri për një manipulim që z. Thaçi e përgatiti në atë kongres (prill, 2011). Ishte ndër kongreset e rrallë në të cilin kishte kandidat dhe kundërkandidat për kryetar partie, si dhe për të gjitha organet e tjera të partisë. Votohej nga ana e delegatëve të Kongresit për anëtarët e Kuvendit Qendror. Ishin dy fleta votimi, njëra për kryetar partie dhe tjetra për anëtarë të Kuvendit Qendror. Unë në atë kohë isha kryetar i Degës së PDSH-së Strugë dhe si i tille me automatizëm isha edhe anëtar i Kuvendit Qendror. Menduh Thaçi siç e ka zakon çdoherë, siç duket, tentoi të manipulojë një proces të cilin ishim marrë vesh që të jetë plotësisht demokratik dhe transparent. Në ndërkohë që delegatët nga Struga prisnin që t’ju vijë radha për votim, një delegat nga Tetova erdhi na takoi dhe na tregoi një listë të shpërndarë pa mbajt asnjë autorësi, në të cilën shkruhej se cilët delegat nga Struga nuk duhet të votohen”, tregon Sela.

Ai thotë se problemet e Thaçit me Degën e Strugës kanë qenë të përhershme dhe se vendosmëria e kësaj dege i ka penguar përherë, ndërsa sot sipas tij Thaçi në Strugë mbetet i rrethuar nga njerëz që “për karrierë politike shesin gjithçka”.

“Në periudha të ndryshme kohore çdoherë ka gjetur pak individë me të cilët ka krijuar përcarje në Degën e Strugës dhe për çudi edhe në 2011 tentoi me atë që kishte bartës liste tani që të krijojë çarjen por nuk ia arriti, edhe tani me po të njëjtin u mundua por përsëri nuk ia arriti. Natyrisht Struga si çdo vend tjetër nuk është imune nga njerëz të cilët janë të gatshëm të shesin gjithçka për karrierë politike. Me të tillë ka ngel i rrethuar z. Thaçi në Strugë tani”, thotë Sela.

Në intervistën e plotë që do të botohet gjatë ditës në “Zhurnal”, Sela paralajmëron mbajtjen e kongresit të ri të PDSH-së, si dhe flet për argumentet juridike që ai dhe Lëvizja për Reforma do t’i përdorin për ta kontestuar Kongresin e 12 tetorit të PDSH-së, në gjykatë.

Sela u përgjigjet edhe pyetjeve për qëndrimin publik që mbajti Mirushe Hoxha, për formimin e partisë së re BESA, si dhe për punën e deritanishme të Komunës së Strugës.

Duke folur për zonjën Hoxha, Sela e quan “moment dobësie” një shkrim të sajin në lidhje me Lëvizjen për Reforma, ndërsa edhe pse i shënjestruar nga ajo, ai vazhdon ta respektojë për dinjitetin dhe nivelin intelektual.

“Të gjithë ne kemi momente dobësie. Znj. Mirushe Hoxha është njeri me dinjitet dhe integritet moral, me nivel intelektual shumë të ngritur dhe e denjë e linjës së Arbën Xhaferit, një “xhaferiste” e cila po ashtu u përjashtua dikur nga z. Thaçi. Nuk kam qenë prezent në mbledhjen e Kryesisë në të cilën është përjashtuar znj. Hoxha nga PDSH, por nuk jam pa përgjegjësi që nuk e ngrita si çështje largimin e saj në mbledhjen e radhës së Kryesisë Qendrore të PDSH-së. Mendimin për të nuk mund të ma ndryshojë një qëndrim publik i saj i thënë besoj unë në një moment dobësie dhe që aspak s’ka të bëjë me qëndrim të sajin, ashtu siç ne ishim të dobët dhe nuk e mbrojtëm dikur atë”, shprehet Sela.

Në intervistë, Sela komenton edhe incidentin e ndodhur në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Intervistën e plotë do të mund ta lexoni gjatë ditës së sotme ne “Zhurnal”.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net