Derisa BDI-ja mendohet për drejtorë, VMRO-ja s’la asnjë vend të lirë pune - tetova1.com

Derisa BDI-ja mendohet për drejtorë, VMRO-ja s’la asnjë vend të lirë pune


VMRO_BDI
Kategoria: Ekonomi / Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Wed, Oct 29, 2014





Në ndërkohë që Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mendohet për të zgjedh drejtorët në drejtoritë dhe agjencitë që i takojnë (pas ndarjeve të posteve me VMRO-në), zëvendës drejtorët maqedonas I mbushën ato institucione me maqedonas.

Vetëm në Agjencinë për Investime të huaja, gjatë kohës sa mungon drejtori shqiptar, zëvendës drejtori Hristian Ilievski ka shpallur tre konkurse ku dhe ka punësuar 15 maqedonas.

Burime të sigurta të “Lajm”-it nga Agjencia për Investime të huaja thonë se në tre konkurset e shpallura nga ky institucion janë punësuar 15 maqedonas dhe asnjë shqiptar.

“Në konkursin e parë të shpallur për 10 vende pune mes tyre edhe udhëheqës janë pranuar nëntë maqedonas, ndërsa vendin e 10-të të punës, zëvendës drejtori e shpalli si të pavlefshëm, pasi duhet të zgjidhte mes tre kandidatëve shqiptarë”, thotë I njëjti burim.

Edhe pse sekretari I përgjithshëm I BDI-së, Abdilaqim Ademi doli në media dhe tha se do të anulohen të gjitha ato konkurse që janë shpallur në mungesë të drejtorëve shqiptarë, në Agjencinë për investime të huaja u shpallën dhe u realizuan edhe dy konkurse të tjera, njëri për 5 vende pune dhe tjetri për një vend pune.

Edhe në konkursin e dytë u punësuan pesë maqedonas dhe asnjë shqiptarë. Po ashtu edhe në konkursin e tretë të shpallur për një vend pune, sërish u punësua një maqedonas. Gjithsej në të tria këto konkurse janë punësuar 15 maqedonas , duke shfrytëzuar rastin e mungesës së drejtorit shqiptar.

“Lajm” edhe më parë ka shkruar për këtë dukuri, ku në mungesë të drejtorëve shqiptarë zëvendës drejtorët maqedonas punësojnë vetëm maqedonas.

Drejtori dhe agjenci me të cilat është paraparë që të udhëhiqen nga kuadër I BDI-së janë: Aeroportet e Maqedonisë, Agjencia për Investime të Huaja, Agjencia për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar, Agjencia për rezervat Shtetërore, Banka e Maqedonisë për Zhvillim, Byroja për Zhvillim Rajonal, Drejtoria e Farërave, Drejtoria për rezervat e naftës, Enti Shtetëror për Pronë Industriale, Inspektorati për Pylltari dhe Gjueti, Inspektorati Devizor, Inspektorati i Punës, Inspektorati i Transportit, Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor, Inspektorati Teknik, Instituti për shëndet publik, Muzeu Natyror Shkencor, NP Agroberza, NP Hekurudhat e Maqedonisë, NP Kullosat e Maqedonisë, NP për Menaxhim me Objektet Sportive, NP Rrugët e Maqedonisë, Parku Nacional Pelister, Postat e Maqedonisë, Qendra për Arsim të Mesëm Profesional, Qendra për Menaxhim me Kriza, Qendra Shtetërore për Provime, etj.

Disa nga këto institucione udhëhiqen nga shqiptarë, por një pjesë e tyre ka mbet pa udhëheqës dhe punën e drejtorit e kryen zëvendës drejtori maqedonas.

Muaj më parë BDI informoi se vendet e zbrazëta të drejtorive dhe Agjencive do ti plotësoj pas pushimeve. Megjithatë pushimet ka dy muaj që kanë kaluar dhe zëvendës drejtorët maqedonas vazhdojnë të punësojnë maqedonas.

Në kohën që kuadrot e BDI-së do ti marrin ato poste, s’do të kenë mundësi të punësojnë asnjë shqiptarë.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net