FOTO LAJM: Pasojat nga sulmi me granatë mbi Qeverinë
|
Pamjet e sotme tregojnë dëmet e shkaktuara nga sulmi me granata mbi objektin e Qeverisë. Një vrimë e madhe në katin e dytë të objektit është prova që tregon për fuqinë e granatës.
Mbrëmë rreth orës 22:00 në afërsi të Qeverisë janë dëgjuar dy shpërthime. Pas disa orësh, në fasadën e ndërtesës janë gjetur dy predha. Në vendngjarje është kryer ekspertiza, dhe predhat janë marrë për analiza të mëtejshme. Mësohet se nuk ka të lënduar. Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska thekson se motivet e sulmit janë ende duke u hetuar.
“Predhat janë marrë dhe janë dorëzuar për ekspertizë, për të zbardhur më shumë të dhëna për llojin e armës, drejtimin prej nga ka ardhur, për autorët e sulmit në rast se ka, dhe motivin e këtij incidenti”, deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
Nga kabineti qeveritar nuk e komentojnë rastin. Zëdhënësi i Qeverisë Aleksander Gjorgjiev nuk iu përgjigj telefonatave. Ende nuk dihet nëse dikush nga kabineti qeveritar ka qenë shënjestër e sulmit, apo përsëritet e njëjta histori, si ajo e vitit 2007. Më 6 gusht të atij viti u regjistrua një sulm thuajse identik, me dy predha ndaj Qeverisë, por autorët dhe motivet e sulmit nuk u zbardhën asnjëherë.











