Tensione në BDI-në e Tetovës, nuk përjashtohen përplasje fizike
|
Tensionet brendapartiake të BDI-së tani janë transferuar në degën e Tetovës, ku përplasjet mes krahut ushtarak dhe atij joushtarak kanë arritur pikën e vlimit, merr vesh “Lajm” nga burime mirë të informuara. Sipas tyre, tensionet janë shtuar te krahu ushtarak i degës, pasi janë paraqitur sinjale se kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, do të pretendojë edhe për kryetare të degës. Të mërkurën në mbrëmje është mbajtur një mbledhje mjaft e tensionuar e kryesisë së degës, ku është dashur të caktohen anëtarët e Këshillit pesëanëtarësh koordinues, i cili do të propozojë kandidatët për kryetarë të degë partiake në Tetovë. Anëtarët e këtij këshilli nuk kanë të dejtë të konkurrojnë për kryetar dege. Kur një anëtarë i kryesisë së degës ka propozuar që Arifi të jetë anëtare Këshillit, një përkrahës i Arifit ka reaguar duke paralajmëruar se ajo nuk pranon të jetë anëtare në këtë këshill, sepse me siguri do të kandidohet për kryetare të degës. Në atë moment kanë reaguar me nervozizëm përfaqësues të krahut ushtarak të partisë, duke u kërcënuar se edhe fizikisht do të pengojnë që ndonjë përfaqësues i krahut joushtarak të vazhdojë të udhëheqë degën, siç është rasti tani ku kryetar është Atilla Rexhepi. Pas kësaj është shkaktuar rrëmujë dhe mbledhja është ndërprerë një kohë të caktuar, që më pas të arrihet marrëveshje zgjedhja e Këshillit të prolongohet për më tutje.
Në garën për kryesinë e degës partiake, krahu ushtarak kërkon edhe mbështetje të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. “Ahmeti duhet të përkrahë ata që e mbështetën luftën e vitit 2001. Nuk duhet të përkrahë persona të cilët nuk janë në shërbim të shqiptarëve, por të tjerëve, sepse me këtë devalvohet fitorja jonë në vitin 2001”, thonë për “Lajm” burime partiake nga krahu ushtarak në BDI-në e Tetovës, duke paralajmëruar se krahu ushtarak do të ndërmarrë “masa radikale” për të penguar që degën më të madhe partiake ta marrin nën kontroll “persona të shitur”.
Zgjedhjet brenda degës së BDI-së në Tetovë pritet të mbyllen deri në fund të nëntorit, kur do të dihet edhe kryetari i ri i degës.






