DioGuardi: Në Ballkan çështja shqiptare nuk është mbyllur
Ish-kongresisti dhe kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Joe DioGuardi ka theksuar se çështja shqitpare në Ballkan akoma nuk është e mbyllur.
Ai këtë e deklaroi në aktivitetin e mbledhjes së fondeve për Kongresmenin Jerry Nadler , në lakalin e Fondacionit Kolombi i Qytetarëve, në Manhattan, qytetin e New Yorkut, informon korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA.
DioGuardi ka folur veç e veç për situatën dhe zhvillimet politike në Ballkan, duke vënë theksin tek vatrat problematike të çështjes së shqiptarëve në Maqedoni, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Si u ndal edhe në zhvillimet politike në Kosovë, duke apeluar për formimin sa më urgjent të institucioneve.
Në këtë aktivitet u shfaq edhe në video material dëshmi, ku DioGuardi i shoqëruar nga kongresisti Tom Lantos ishin pjesë e një seance historike që zgjati 5 orë me anëtarët e komisionit të Jashtëm të Kongresit dhe Senatit në maj 24,1990 organizuar nga LQSHA, ku ishte edhe dr. Ibrahim Rugova dhe personalitete tjera shqiptare nga rajoni, që dëshmuan me shkrim dhe gojë për çështjen shqiptare në Ish-Jugosllavi, sidomos për çështjen e Kosovës. Kjo sipas tij, ndikoi për ndryshimin e politikës së jashtme të Departamentit të Shtetit
Në këtë takim ishin edhe Shirley Cloyes DioGuardi, Faik Lita, Siana Lita, Rifat Mehmeti, Flamur Mehmeti, Luan Bukolla, Oliver Papraniku, Larry Papraniku dhe dhjetëra mbështetës të komuniteteve të tjera përfshirë edhe shqiptarë amerikanë të fushës së biznesit, Bujar Gjata nga Rrënjët Shqiptare.
Kongresmeni Jerrold “Jerry”, Nadler, është një anëtar i lartë i Partisë Demokratike në Kongresin Amerikan - i cili përfaqëson Qarkun 10-të të zonës elektorale e cila përmbledh pjesën e poshtme të Manhattanit, duke përfshirë shumicën e anës perëndimore të Manhattanit dhe pjesës jugore të Brooklynit. Ai e filloi karrierën e tij politike në vitin 1976 në Kuvendin e shtetit Nju Jork, ku ai shërbeu për 16 vjet. Në vitin 1992, pas vdekjes së kongresistit Ted Weiss, Nadler u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve në një zgjedhje të posaçme dhe ka shërbyer në Kongres që nga atëherë. Ai u rizgjodh në mandatin e tij të njëmbëdhjetë, në zgjedhjet e vitit 2012, duke marrë mbi 80 për qind të votave.
Jerry Nadler me këtë rast ka falenderuar shqiptarët për përfshirjen e tyre në Luftën e Dytë Botërore, dhe i nxitur nga sugjerimet e mikut të tij Joe DioGuardi para se ai të fliste, tha se ai do të shkruajë një letër në Muzeun Kombëtar të Holokaustit, Yad Veshem, në Jeruzalem për t’i dhënë më shumë njohje për individët shqiptarë dhe familjet e tyre, të cilët gjatë dhe pas LDB megjithë kërcënimet dhe rreziqet e asaj kohe, bënë sakrifica të mëdha për të shpëtuar më shumë se 2000 hebrenj evropiane nga nazistët.
Kongresmeni Nadler, gjithashtu falënderoi shqiptarët për mbështetjen e tyre, dhe përfundoi fjalimin e tij duke thënë, “Unë dua të falënderoj të gjithë shqiptarët dhe Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe PAC të udhëhequr nga miku im i mirë ish-kongresisti republikan i Nju Jorkut, Joe DioGuardi dhe bashkëshortja e tij Shirli Cloyes DioGuardi, dhe anëtarët e bordit të LQSHA- si dhe miqtë e tyre, të cilët erdhën në këtë veprimtari, për të mbështetur mua në fushatën time. (B.Sina/INA)





