Jugohromi, edhe Nurhan Izairi kundërshton vendimin e qeverisë!!? - tetova1.com

Jugohromi, edhe Nurhan Izairi kundërshton vendimin e qeverisë!!?


nurhanizairi
Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Mar, Nën 4, 2014





Me gjithë faktin se Ministria e Ekologjisë ka qenë kundër dhënies së afatit shtesë për Jugohromin, prapëseprapë qeveria ka vendosur që këtij kombinati metalurgjik t’i jepet edhe një mundësi.
Kështu thotë sot ministri i Ekologjisë Nurhan Izairi, duke komentuar vendimin e qeverisë për shtyrjen e afatit për mbylljen e Jugohromit, njofton Alsat-M.
“Ne si ministri kemi propozuar që të mos i shtyhet afati, mirëpo siç thash qeveria bie vendime duke pasur parasysh edhe aspektet sociale, ekonomike e kështu me radhë dhe përfundimisht solli ashtu siç e solli vendimin. Qeveria i ka dhënë afat edhe gjashtë muaj që të mund të punoj intensivisht për këtë, ndërkohë që brenda këtyre gjashtë muajve ministria që unë drejtoj, fuqimisht do e përcjellë planin operativ dhe të jeni të bindur se pas gjashtë muajsh nëse nuk ka lëvizje të dukshme rreth kësaj qeveria do e mbyllë”, tha Izairi.
Sa iu përket paralajmërimit të protestave nga shoqata të ndryshme kundër ndotjes së ajrit, Izairi deklaroi se edhe ai i përkrah ata që shprehin shqetësimin për ndotjen e ajrit në Tetovë.
“Unë i respektoj të gjithë zërat, i respektoj të gjithë ata që shprehin revoltë dhe njëkohësisht që shprehin brenga për ndotjen e ambientit dhe ajrit në Tetovë. Edhe unë jam njëri nga ata që kam brenga të fuqishme por Jugohromi nuk është njëra prej brengave. Ne duhet të ulemi të gjithë të ulemi dhe t’i detektojmë”, u shpreh ministri.
Ministri Izairi, për muajin që vijon, ka paralajmëruar një analizë pas mbylljes së dy furrave të Jugohromit, me të cilën do të precizohen saktë se kush janë elementët ndotës të ajrit dhe sa është përqindje e tyre. Këto komente Izairi i bëri sot gjatë qëndrimit të tij në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net